Muaj 'horror' për Interin, 'tundet' pozita e Spallettit

Muaj 'horror' për Interin, 'tundet' pozita e Spallettit

Sport dhjetor 12, 2018 - 15:25
Detajet

Interi u eliminua nga Liga e Kampionëve mbrëmjen e djeshme, pasi nuk ia doli të mposhtë PSV Eindhovenin në “San Siro”, në një sfidë ku u ndal në barazim 1-1 dhe tashmë do të duhet të vijojë aventurën e tij në Ligën e Europës.

Gjithsesi vlen të theksohet se 7 ndeshjet e fundit, të luajtura në harkun kohor të rreth 5 javëve, kanë qenë një horror i vërtetë për zikaltrit, që kanë arritur të fitojnë vetëm një prej tyre, kanë humbur 3 dhe kanë barazuar po aq.

Ka mjaftuar një muaj më tepër se i zi, që zikaltrit jo vetëm të eliminohen nga Liga e Kampionëve, por të dalin përfundimisht nga lufta për titull, ndonëse janë luajtur vetëm rreth 40 % të ndeshjeve të sezonit.

Këtë të shtunë në “San Siro” do të vijë Udinese, skuadra që “zhyti në krizë zikaltrit e Luciano Spallettit vitin e kaluar, pasi pikërisht një humbje ndaj friulianëve bëri që Interi të prishte serinë e rezultateve pozitive dhe të futej në një tunel për më shumë se 3 muaj.

Tifozët zikaltër kanë drejtuar gishtin nga Spalletti, që për hir të së vërtetës, e ka pranuar edhe vetë se ka gabuar ndërrimet në të paktën 3-4 prej këtyre takimeve, që mund t’i kushtojnë shumë të ardhmes së tij në stolin e Interit.

Sfida e fundjavës përballë Udineses do të jetë një test i rëndësishëm më tepër për Spallettin, sesa për Interin, që ka “larë duart” me titullin, por duket në rrugë të mbarë për një vend në zonën e Ligës së Kampionëve.