Panucci tregon se si mund të kualifikohet Shqipëria në Evropian!

Sport December 12, 2018 - 14:53
Detajet

Kombëtarja shqiptare përfundoi në një grup të vështirë në kualifikimet për Evropianin 2020, shkruan Zeri.info.

Pasi i humbi gjasat për t’u kualifikuar në “Euro 2020” përmes Ligës së Kombeve, skuadra Kuqezi tash e ka rrugën e vetme që të shkojë në Evropian përmes kualifikimeve.

Për t’i arritur ato, skuadra e Christian Panuccit duhet t’i lë prapa kundërshtarët si Islanda e Turqia pasi kampionia aktuale e botës, Franca konsiderohet si favorite absolute për ta mbyllur grupin si e para.

“Të luash me Francën është një ndeshje e vështirë, por e rëndësishme. Franca është favorite për këtë grup dhe ne duhet të bëjmë diçka të veçantë për t’i mundur Islandën dhe Turqinë”, është shprehur fillimisht trajneri italian.

Por, cila është rruga për t’u kualifikuar në Evropian, i cili do të mbahet në 13 qytete të ndryshme evropiane?

“Fillimisht duhet të kemi një grup të plotë lojtarësh, pasi kohët e fundit kemi vuajtur nga mungesat dhe në Ligën e Kombeve kemi qenë të privuar nga kjo. Nëse mendojmë kualifikimin duhet patjetër t’i mundim Islandën dhe Turqinë. Grumbullimi i lojtarëve është çelësi i suksesit pasi uroj që t’i kemi të gjithë në dispozicion dhe mos kushtëzohemi nga zgjedhjet”, vazhdoi Panucci.

Ai dëshiron të mbetet në histori, siç ka bërë paraardhësi i tij, Gianni De Biasi, i cili e dërgoi Shqipërinë në Evropianin “Francë 2016”.

Edhe Panucci dëshiron ta shkruajë historinë dhe të mbetet në kujtesë të përhershme të shqiptarëve, njëjtë si bashkëkombësi i tij.

“Nuk ka ditë që nuk e mendoj kualifikimin e Shqipërisë në Evropian. Dua që edhe kur mos të jem në krye të Shqipërisë të kujtohem nga të gjithë si një trajner serioz që ka pasur respekt për shqiptarët dhe Shqipërinë. Urimi është që të kemi një sukses drejt Evropianit”, përfundoi Panucci.

Gjithashtu, ish-futbollisti i njohur italian në fund foli edhe për jetën e tij private, për bashkëshorten dhe djalin e tij Juan. /Zëri/