Prishtina do fitore sonte në FIBA Europe Cup

Sport December 12, 2018 - 10:13
Detajet
Image

Z-Mobile Prishtina të martën e ka marrë rrugën drejt Gjermanisë për t’u përballur sonte me ekipin s. Oliver Wurzurgut në kuadër të rundit të dytë të FIBA Europe Cup, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit u treguan mjaft të suksesshëm në fazën e parë duke e kaluar pa problem grupin, ndërsa tash ata i pret një punë më e vështirë pasi kundërshtarët janë më të fuqishëm.

Sidoqoftë, klubi më i trofeshëm kosovar do ta nisë me optimizëm të plotë këtë aventurë të re pasi kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në këtë fazë.

Dardan Berisha me shokë kanë stërvitur dje në Gjermani dhe janë plotësisht të gatshëm për këtë sfidë.

Njëkohësisht basketbollisti më i mirë kosovar i ka ftuar krejt bashkatdhetarët, sidomos ata që jetojnë në Gjermani, që ta ndihmojnë ekipin prishtinas me përkrahje në palestër në numër sa më të madh të mundshëm.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme kundër ekipit s. Oliver Wurzburg. Shpresoj që shqiptarët të cilët jetojnë në Gjermani do të vijnë në sallë për të na përkrahur dhe besoj që së bashku mund ta arrijmë fitoren në këtë ndeshje të rëndësishme”, është shprehur Berisha para nisjes për në Gjermani.

Gjithashtu edhe klubi kosovar i ka ftuar bashkatdhetarët që jetojnë në Gjermani që t’i bashkohen për këtë ndeshje.

Ndeshja ndërmjet Wurzburgut dhe Prishtinës do të zhvillohet sonte në palestrën “s.Oliver Arena”, në Gjermani, dhe fillon në orën 19:00.

Krahas Prishtinës dhe s.Oliver Wurzburg, në Grupin I bëjnë pjesë edhe ekipet Szolnoki Olaj dhe Pinar Karsiyaka.

Bardhekaltrit e kishin nisur sezonin në Champions League, por ishin eliminuar herët.

Megjithatë ata u përshtatën mjaft mirë në FIBA Europe Cup, ku i radhitën sukseset një pas një dhe tash synojnë të shkojnë sa më larg.

Gjithashtu, prishtinasit këtë edicion janë kthyer edhe në Ligën Ballkanike, por nuk e kanë pasur mundësinë të luajnë ende për shkak të angazhimeve të shumta në Evropë dhe në kampionatin vendor. /Zëri/

FIBA Europe Cup – Faza e dytë

Grupi I

E mërkurë

19:00 s.Oliver Wurzburg – Prishtina