Solari 'godet' Ronaldon

Sport December 11, 2018 - 14:43
Detajet

Është duke u zhvilluar një debat në distancë mes Cristiano Ronaldos dhe ish-klubit të tij Real Madridit.

Në krah të madrilenëve është rreshtuar edhe tekniku Santiago Solari  i cili gjatë konferencës së shtypit në vigjilje të sfidës së Ligës së Kampionëve ndaj CSKA së Moskës i është kundërpërgjigjur ashpër thumbimeve të portugezit 33-vjeçar.

Deklarata me tone të ashpra e teknikut të klubit spanjoll erdhi pas krahasimit që Cristiano Ronaldo i bëri ambientit bardhezi ndaj dhomave të zhveshjes së madrilenëve, duke nënkuptuar një stad më të lartë të klubit torinez.

“Modestia është virtyt i të mëdhenjve dhe historia e ‘Los Blancos’ dhe klima në dhomat e zhveshjes së Realit vërtetojnë se ky është një klub i madh dhe modest sikundër është dhe organika e tij aktuale. Vërtetë Cristiano mund të përfaqësojë historinë e afërt të klubit madrilen, por mendimi dhe kimia e tij mbeten diçka personale”, deklaroi Solari.

Pavarësisht momentit jo shumë pozitiv për Realin e Madridit, kjo skuadër ka rifituar vetëbesimin duke vazhduar serinë e fitoreve dhe duke ruajtur objektivin për të triumfuar në çdo kompeticion.

“La Liga apo Liga e Kampionëve? Jo vetëm këto, edhe Kupën e Mbretit dhe Botërorin për klube, këto janë aspiratat tona. Duam të fitojmë gjithçka, qëndrojmë koherent me historinë dhe objektivat tanë. Duhet të mbajmë të hapur opsionin për të fituar të gjitha kompeticionet ku impenjohemi dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje që luajmë. Sigurisht që nuk është e lehtë të ruash të njëjtin nivel, me të njëjtat energji në çdo duel, por do të përpiqemi”, tha ai.