Dikur shitës frutash, tash yll në Premierligë

Sport December 11, 2018 - 12:50
Detajet

Mbrojtësi kolumbian Yerry Mina ka kaluar nëpër shumë sfida për të ardhur këtu ku është sot. Derisa ishte fëmijë, ai shiste fruta dhe fitonte më pak se 2 euro në ditë, por me shumë sakrifica dhe punë, tash ai luan në Premierligë me Evertonin, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Yerry Mina ishte 14-vjeçar kur i bëri një premtim nënës së tij. Adoleshenti, prindërit e tij dhe vëllai i tij i vogël jetonin në Guachene, një qytet i vogël tregtar në Kolumbi. Nuk jetonin në një shtëpi, por në një dhomë të vetme.

Babai i tij, një ish-portier, po vuante që të gjente punë. Gjyshja e Minas shiste fruta në një tezgë. Yerry, i cili është emërtuar për shkak të miut te filmi vizatimor “Tom and Jerry”, shpërndante produktin nëpër shtëpitë e njerëzve me biçikletën, që ia kishte blerë babai. Nga të gjitha këto udhëtime Mina përfitonte rreth 6000 pesos në ditë. Më pak se 2 euro. “Unë i thashë, ‘më dëgjo nënë, një ditë unë do të ndërtoj një shtëpi për ty. Unë do të siguroj një çati për ty dhe do të sigurohem që të hash. Ti do të ushqehesh me ndihmën e Zotit”, kujton Mina. “Unë thjesht doja që ajo ta dinte se e ardhmja do të ishte më e mirë”, shton ai.

Nëna e tij Marianela kishte filluar të qajë. “Ajo më tha, ‘mos u brengos, unë jam duke bërë më të mirën që të të mbaj ty vetëm. Ne do t’ia dalim’”, thotë mbrojtësi.

“Ishte një periudhë e vështirë për familjen time. Prej asaj dite kudo që udhëtoj për të luajtur futboll para se të dal unë them, ‘do të fitoj darkën për nënën time. Është darka e nënës sime ose e sulmuesve’. Këtu vjen fuqia ime. Ajo fëmijëri, në një vend të vështirë”, shprehet ish-lojtari i Barcelonës.

Ai po luante në një ekip lokal kur e bëri këtë premtim para dhjetë vjetësh. Një futbollist premtues, e vërtetë, por jo vigani 195-centimetërsh i zemrës së Evertonit. Edhe atëkohë, ai bënte çfarë të mundte. Ai i jepte çdo ditë 4000 deri në 6000 pesos nënës së tij. 1000 pesos shkonin për vëllain e tij të vogël, që të blinte ndonjë top ose kukull. Mina mbante 1000 pesosët e fundit që të blinte ujë pas stërvitjes.

“Unë isha i lumtur për këtë gjë. Unë do të sakrifikohesha për prindërit e mi për shkak se ajo që kanë bërë për mua është e jashtëzakonshme dhe unë ndihem mirë që jam duke i ndihmuar nënës sime tani”, thotë Mina.

Kjo lumturi është gjëja e parë që vërehet kur takoheni me Minan. Hedhja e hapave të tij derisa thotë përshëndetjen në stërvitjen te Evertoni. Ai është gjithmonë i buzëqeshur, edhe kur flet për kohërat e vështira të jetës së tij. Është premtimi ndaj nënës së tij që ka qenë motivimi i tij. Ishte përkushtimi i tij për të përparuar prej ekipit të fëmijëve, Guachene te Deportivo Pasto, klubi i parë profesionist i tij.

Sidoqoftë, skamja e familjes së tij nuk bëhej më e lehtë. Ai nuk arrinte të përballonte të merrte autobusin për një udhëtim njëorësh drejt fushës stërvitore. Mina priste kamionë që të ndaleshin në semafor dhe të hipte te to. “Unë thjesht ngjitesha. Kur binte shi ishte e tmerrshme. Ishte shi i ftohtë dhe mund të rrëshqisje kur ngjiteshe. Nëse nëna ime do ta dinte këtë, nuk do të më linte kurrë që të shkoja”, tregon ai.

Është një gjë e mirë që ai shkoi. Mina kaloi prej klubit Sante Fe te Palmeirasi e më pas te Barcelona, ku u bë kolumbiani i parë që luan te gjigandi spanjoll. Ai e zëvendësoi Gerard Piquen në debutimin e tij për Barçën në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit. “Pique më tha, ‘ti do të arrish shumë në këtë lojë’. Këto fjalë që vinin nga ai ende më shërbejnë si motivim”, thotë Mina.

Por shpejt u bë e qartë se ai nuk ishte në planet e Barcelonës. Pas një Botërori të suksesshëm, gjatë të cilit Mina shënoi tri gola ai e siguroi një transferim te Evertoni për rreth 30 milionë euro. Pasi mungoi në fillim të edicionit për shkak të një lëndimi, por tashmë është kthyer në shtyllë të mbrojtjes së Evertonit.

Çdokush që e ka parë atë ka vërejtur vendosmërinë e tij për të fituar. Çdo harkim në zonë Mina e spastron në çdo mënyrë që mundet. Në atë moment qeshja e tij karakteristike nuk ekziston. “Në maskë tjetër. Unë jam shumë më ndryshe sapo ta kaloj vijën. Kështu duhet të jetë. Nuk ka miq në fushë. Nëse do të luaja kundër babait tim, do të luftoja edhe ndaj tij”, shprehet mbrojtësi.

Qeshja e tij kthehet përsëri. Ai buzëqesh kur tregon për sfidat që bënte në stërvitje me Luis Suarezin dhe Lionel Messin, derisa tani i bën me Richarlisonin. “Unë i them Richarlisonit, ‘shëno në dy ndeshje radhazi dhe do ta jap njërën prej fanellave të mia’. Ai më thotë, ‘mbaje portën e paprekur për tri ndeshje dhe unë do të të qeras me një darkë’. Është një gjë e bukur që të sjellësh më shumë ushqim në shtëpi për familjen tënde”, thotë reprezentuesi kolumbian.

Atij gjithmonë i kujtohet kjo gjë. Familja dhe rrënjët e tij. Ai e ka themeluar fondacionin “Yerry Mina” në vendlindjen e tij. “Është e rëndësishme për mua që të jem shembull për të gjithë fëmijët të cilët janë në atë pozitë tani”, shprehet 24-vjeçari.

Por si ka mundësi që dikush që ka hequr aq shumë në jetë të mos ndalet kurrë së qeshuri?

“Në krahasim me atë që kanë kaluar babai im, familjarët e mi ose njerëzit që jetojnë në qytetin tim nuk është një vuajtje e vërtetë. Unë mendoj se çfarëdo që ndodh, asgjë nuk mund të fshijë lumturinë me të cilën ke lindur dhe aftësinë për të transmetuar atë lumturi dhe t’ia përcjellësh atë kënaqësi njerëzve të tjerë, edhe pse ndonjëherë mendoj që duhet të ndryshoj”, thotë Mina.

Por jo Mina, mos ndrysho. Mos ndrysho kurrsesi./Zëri