Favorizojnë Prishtinën për titull

Sport December 11, 2018 - 12:06
Image

FC Prishtina e mbylli pjesën e parë të sezonit si lidere e Superligës duke e pësuar vetëm një humbje në 17 ndeshje, shkruan sot gazeta Zëri.

Dhe, njohësit e futbollit mendojnë se Bardhekaltrit janë favoritë për ta fituar titullin e kampionit, ndërkohë që shtojnë se Feronikeli do të jetë kundërkandidati kryesor i ekipit të Mirel Josës për titull.

“Prishtina me plot meritë është në vendin e parë dhe është favorite për titull”, ka thënë trajneri Arsim Plepolli në emisionin “90 Plus” në “Radio Prishtina” dhe “Zëri TV”.

I të njëjtit mendim ishte edhe trajneri i ri, Erdin Hashani, i cili mendon se prishtinasit dhe “Nikli” do të jenë në garë për titull deri në fund.

E i ftuar në emision ishte edhe drejtori sportiv i prishtinasve, Arbnor Morina.

Sipas tij, në taborin Bardhekaltër ekziston një atmosferë e mirë dhe se prishtinasit këtë vit nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë kreun deri në fund.

“Kemi pasur stabilitet, i cili është i mirëseardhur për ekipin. Prej kreut të klubit e deri te punëtorët e mirëmbajtjes e kemi pasur punën e qartë dhe të definuar”, deklaroi Morina.

“Mendoj që arsyeja se pse Prishtina është në vendin e parë është për shkak të atmosferës në klub, sidomos për shkak të lojtarëve dhe stafit”, shtoi ai. “Ne ende nuk kemi fushë të stërvitjes dhe po i zhvillojmë stërvitjet në stadiumin e 2 Korriku. Sidoqoftë, ne po ia dalim. Është i merituar vendi i parë, të cilin synojmë ta mbajmë deri në fund, edhe pse na ndan vetëm një pikë nga Feronikeli”, nënvizoi ai.

Kampionati, më interesant

Mysafirët e emisionit “90 Plus” u shprehën se prej pranimit të futbollit kosovar në UEFA e FIFA kampionati është bërë më interesant pasi tash klubet kanë më shumë arsye të investojnë dhe të organizohen pasi synojnë daljen në Evropë.

“Ka ngritje të futbollit. Janë disa parametra që i kemi analizuar. Qarkullimi i topit është më i shpejtë. Shtrirja në fushë e ekipit është më e mirë. Numri i topave të humbur është më i ulët. Por, a jemi të kënaqur? Janë edhe disa gjëra që duhet të përmirësohen”, u shpreh Morina, i cili deri dje ishte trajner i Gjilanit.

Edhe Hashani mendon se niveli i futbollit kosovar është ngritur, ndërsa Plepolli shprehet se futbollit të këtushëm i mbetet shumë punë për t’u bërë.

Derisa Morina po merret me përforcimet eventuale që do t’i bëjë Prishtina gjatë janarit, por edhe me largimet e mundshme, Plepolli theksoi se po punon me shkollën e futbollit dhe nuk e përjashtoi mundësinë që vitin e ardhshëm ta marrë në dorë ndonjë skuadër të Superligës, sigurisht nëse ia plotësojnë kushtet, mbi të gjitha një staf i gjerë, e jo me dy trajnerë siç tha ai.

Kurse, Hashani e nisi në mënyrë fantastike zejen e trajnerit dhe e shijoi një vjeshtë të shkëlqyeshme me Dardanën në Ligën e Dytë të Kosovës, me të cilën regjistroi 11 fitore e 3 barazime.

Ai synon që skuadrën nga Kamenica ta ngrisë në Ligën e Parë të Kosovës, ndërsa e falënderoi kryesinë e klubit për kushtet që po ia ofron. /Zëri/