De Biasi afër kombëtares që e 'shkatërroi' Kosova

Sport December 10, 2018 - 13:49
Detajet

Gianni De Biasi është pranë emërimit si trajner në një tjetër ekip kombëtar. Pas suksesit historik me Shqipërinë, trajneri italian që ka dhe pasaportën shqiptare, është kontaktuar nga kombëtarja e Azerbajxhanit. Ky është lajmi që vjen nga përtej atlantikut, aty ku mediat vendase pohojnë se De Biasi është në rrugën e duhur për tu rikthyer në drejtimin e një tjetër ekipi kombëtar.

“Tuttomercatoweb” shkruan sot se ish-trajneri i Shqipërisë ka pasur një kontakt nga përfaqësuesit e kombëtares azere, ndërsa kjo javë pritet të ketë lajmë të rëndësishme për trajnerin që dërgoi Shqipërinë në fazën finale të Euro 2016. Kombëtarja e Azerbajxhanit nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në Ligën e Kombeve.

Azerët ndodhen në Ligën D, në grupin e dytë së bashku me përfaqësuesen e Kosovës, që arriti të kalonte për në fazën tjetër. Pikërisht ky dështim ka bërë që në Azerbajxhan të mendohet emri i trajnerit të ri të skuadrës kombëtare, në prag të nisjes së eliminatoreve të Euro 2020.

Emri i Gianni De Biasit është i preferuar edhe për shkak të suksesit me Shqipërinë, pasi arriti që një ekip modest dhe pa shumë kualitete, ta dërgonte në fazën e grupeve të Euro 2016.