Kosova në aksion për talentët në Evropë

Sport December 10, 2018 - 10:19

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka filluar t’u kushtojë vëmendje talentëve kosovarë nëpër Evropë në mënyrë që t’i identifikojë lojtarët më premtues për të ardhmen dhe t’i mbajë sa më afër vetes nga frika se ata mund t’i kapë “grepi” i shteteve tjera, siç ka ndodhur në shumë raste deri më tani.

Pas një kampi me talentët kosovarë që gjenden në Gjermani FFK-ja e ka organizuar një kamp të ngjashëm edhe në Zvicër, ku gjatë fundjavës morën pjesë 70 futbollistë të rinj, të cilët me përkushtim e motiv janë munduar t’i tregojnë cilësitë e tyre para trajnerëve të përfaqësueseve të reja të Kosovës.

Bëhet fjalë për një kamp të Përfaqësueses U-15 të Kosovës, i cili u është besuar trajnerëve: Gazmend Halitit, Isa Sadriut, Besnik Kollarit dhe Valmir Bytyqit, të cilët i panë nga afër lojtarët e rinj kosovarë që janë pjesë të klubeve të Zvicrës, ku gjithnjë kanë dalë futbollistë të mëdhenj me origjinë nga Kosova, por të cilët i kanë marrë shtetet tjera dhe më së paku Kosova. /Zëri/