Investoni, fitoni!

Sport December 10, 2018 - 10:08

Driton Kuka e di shumë mirë se si mund ta mbajë xhudon kosovare në nivelet më të larta të xhudos botërore. Por, për ta realizuar planin e tij i nevojitet ndihma e shtetit. Punëtorit të madh i duhet urgjentisht ndërtimi i një qendre kombëtare, në të cilën planifikon t’i mbledhë dhe t’i zhvillojë talentët e xhudos më premtues nga e gjithë Kosova e me të cilët është i sigurt se për shumë vite në vijim do të fitojë medalje të rëndësishme ndërkombëtare

Xhudoja kosovare i ka dhënë shumë Republikës së Kosovës e sidomos në dekadën e fundit, pas ndërkombëtarizimit të Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK) në vitin 2009, shkruan sot gazeta Zëri.

Ekipi i xhudisteve dhe i xhudistëve i krijuar nga trajneri Driton Kuka deri më tani ka fituar gjithçka që mund të fitohet në xhudon ndërkombëtare – madje edhe medalje olimpike përmes sportistes numër 1 të Kosovës, Majlinda Kelmendi.

Por kjo nuk do të thotë se ekipi i Kukës është ngopur.

Përkundrazi, apetitet veç çka u janë shtuar.

Madje trajneri pejan ka bërë plane madhështore në mënyrë që xhudoja kosovare të mbetet në nivelet më të larta të xhudos ndërkombëtare edhe në shumë vite që i ka para vetes. Për ta arritur këtë xhudoja kosovare ka nevojë për një përkrahje institucionale nga Republika e Kosovës.

“Tani shpresoj që Qeveria të fillojë ndërtimin e një qendre kombëtare. Do të doja të mbledhja fëmijët nga qytetet e tjera dhe të bëjmë një bazë më të gjerë që t’i kemi 20 ose 30 xhudistë kualitativë. Mendoj se Kosova do të jetë e fortë në hartën e vendeve elitare të xhudos”, ka thënë Kuka.

Këtë ambicie trajneri më i suksesshëm kosovar e ka zbuluar në një intervistë që ia ka dhënë uebfaqes zyrtare të Federatës Botërore të Xhudos (IJF), ku vendi ynë tashmë gëzon respekt shumë të madh falë sukseseve të mëdha të xhudistëve tanë, si Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit, Akil Gjakovës, Loriana Kukës etj.

Vetë Kuka ka theksuar se pa përkrahjen e IJF-së Kosova nuk do të mundë të ishte në këtë nivel ku është sot.

“Në vitin 2009 filluam të garojmë në garat e IJF-së falë përkrahjes dhe dëshirës së madhe të kryetarit të IJF-së Marius Vizer, që është një mbështetës i madh yni”, ka theksuar Kuka, i cili kur flet për të tashmen e ndritur të xhudos kosovare nuk mund ta harrojë dot të kaluarën e hidhur, kur ky sport ishte viktimë e politikës dhe regjimit serb në Kosovë, gjë që kishte ndikuar që vetë Kuka në moshën më të mirë, 19 vjeç, ta linte këtë sport, për të cilin kishte lindur.

“Ishte viti 1991, isha vetëm 19 vjeç, kur e pata lënë këtë sport. Ishin kohë të vështira. Isha njëri nga garuesit më të dalluar të ekipit përfaqësues. Por për shkak të politikës ndërpremë përfaqësimin e ish-Jugosllavisë. Ndërsa pas luftës në Kosovë në vitin 1999 fillova të mbledhja fëmijë në rrugë, që jetonin rreth sallës së xhudos, të cilën e patëm ndërtuar me mjete të familjes për shkak të dashurisë sonë për xhudon”, ka potencuar ai.

Në atë kohë Kuka bënte përpjekje t’i mbajë të rinjtë në xhudo dhe t’i largojë nga rruga.

“Synimi im kryesor në fillim ishte që t’i mbaja ata në sport. Dhe pas tre-katër vjetësh mendoj se ia dola, pasi isha i bindur se ata do të qëndronin në xhudo, sepse xhudoja është sport shumë interesant dhe i veçantë. Më pas ata filluan të fitonin disa medalje, sigurisht se ato ishin për fëmijë, por s’kishte rëndësi, pasi synimi ishte që t’i mbaja ata brenda xhudos dhe ja ku jemi sot”, rrëfen Kuka.

Sot Kuka mund të ndihet ndër njerëzit më të lumtur në botë për shkak se sakrificat po ia shpaguajnë me medalje të rëndësishme nxënësit e tij, që u prinë Majlinda Kelmendi, kampionia olimpike.

“Majlinda ishte një person i jashtëzakonshëm. Gjatë gjithë kohës ishte e fokusuar e në jetë është aq e qetë dhe serioze. Dhe kur filluam të merrnim pjesë në gara e pashë se ajo vërtet ishte luftëtare dhe ishte e tillë qëkur ishte fëmijë. Të tjerët duhet t’i shtysh, por në rastin e Majlindës është krejtësisht ndryshe. Mendoj se nuk është e lehtë të gjeni persona si Majlinda”, është shprehur Kuka, që ka thurur lavde edhe për Norën, Akilin, Distrien dhe nxënësit e tjerë të tij. /Zëri/