'Messi më i miri në botë, mos i besoni Topit të Artë sepse gënjen'

Sport December 09, 2018 - 10:32
Lajmet e fundit nga sporti

Votimi për Topin e Artë e nxori Lionel Messin si lojtarin e pestë më të mirë në botë për vitin 2018, por bashkëlojtari i tij te Barcelona, Jordi Alba, nuk pajtohet dhe e quan gënjeshtër çmimin më prestigjioz individual për futbollistë.

Superylli argjentinas i ndihmoi Barcës ta shkatërrojë 4-0 Espanyolin në derbin katalonas të shtunën mbrëma, duke i shënuar dy gola nga goditja e dënimit dhe duke dhuruar një asist për Ousmane Dembelen, transmeton Gazeta Express.

Pas ndeshjes, Alba këmbënguli të theksojë sesi çmimet individuale nuk kanë qenë të drejta me Messin.

“Jemi të lumtur me fitoren sepse ishim të mirë edhe në mbrojtje edhe në sulm”, tha Alba.

“Topi i Artë është gënjeshtër, sepse Leo është më i miri në botë dhe kështu ka qenë gjithmonë në 12 apo 14 vite e fundit, gjatë të cilave ai ka qenë shumë më i mirë se tjerët”, insistoi ai.

“Ka pasur lojtarë shumë të mirë në vitet e fundit të cilët e kanë merituar të njihen, por ky çmim është për lojtarin më të mirë individualisht dhe jo për fitimin e titujve, sepse titujt fitohen nga ekipi”, shtoi ai.