Bournemouthi, klubi i ujdive të leverdishme

Bournemouthi, klubi i ujdive të leverdishme

Sport dhjetor 07, 2018 - 12:30
Detajet

Bournemouthi u ngjit në vendin e shtatë në tabelë pas fitores ndaj Huddersfieldit në xhiron 15-të ndaj Huddersfieldit, derisa ka pikë të barabarta me vendin e gjashtë. Callum Wilson dhe Ryan Fraser shkëlqyen, derisa forma e tyre e mirë këtë edicion po vazhdon. Skuadra e Bournemouthit është e përbërë nga lojtarë të cilët janë blerë me çmim jashtëzakonisht të leverdishëm. Fraser, Wilson dhe Joshua King i kanë kushtuar klubit më pak se 4 milionë euro, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Bournemouthi është duke u kthyer shpejt në befasinë e këtij edicioni në Premierligë, derisa tashmë është në vendin e shtatë, me pikë të barabarta me vendin e gjashtë. Ekipi i Eddie Howet është duke prodhuar futboll sulmues, emocionues me ndihmën e lojtarëve të cilët sapo kishin lulëzuar kur Doncaster Rovers fitoi titullin e kategorisë së tretë angleze në edicionin 2012/2013.

Përderisa në edicionet e fundit ka pasur edhe emra të mëdhenj si Jefferson Lerma dhe Nathan Ake, të cilët u transferuan për rreth 60 milionë euro, pjesa më e madhe e suksesit të Bournemouthit vjen nga ata që kanë vuajtur në kategoritë më të ulëta.

Momentalisht Howe ka në drejtimin e tij asistuesin numër një në ligë Ryan Fraser dhe sulmuesin Callum Wilson, i cili ka të njëjtën shifër të golave me Sergio Agueron.

Të dy futbollistët kanë tërhequr tashmë vëmendjen dhe me një largim eventual të tyrin Bournemouthi do të kishte një profit të madh. Përderisa sulmuesi uellsian David Brooks është duke përjetuar shpërthimin e tij pas transferimit nga Sheffield United për 13.5 milionë euro, është Fraser ai i cili ka shkëlqyer te Bournemouthi.

Pas rikthimit të tij në klub pas një aventure jo edhe aq të mirë te Burnley, vëmendja e Howet u kthye kah një adoleshent nga qyteti i Aberdeenit.

16-vjeçar kur bëri debutimin e tij, Bournemouthi e transferoi lojtarin për vetëm 450.000 euro kur mbushi 18 vjeç, lojtar për të cilin Howe kishte shpresa të mëdha.

Por, ky ishte vetëm një plan afatgjatë. Detyra e tij e parë ishte që të shikonte dhe të mësonte. Fraser luajti rol vendimtar kur Bournemouthi e fitoi titullin në Championship dhe u ngjit për herë të parë në Premierligë në vitin 2015. Që prej asaj kohe 24-vjeçari nuk e ka kthyer kokën pas. Lojtari i gjatë 162 centimetra është i papërshtatshëm për mbrojtësit kundërshtarë.

Shpejtësia është njëra prej aseteve të tij, por reprezentuesi skocez është gjithashtu i rrezikshëm nga gjuajtjet direkte dhe nga gjuajtjet e lira, derisa e bëri asistimin e tij të tetë në mbrëmjen e së martës ndaj Huddersfieldit.

Harkimi i tij u konkretizua nga Callum Wilson, një sulmues që është duke e shijuar momentin e tij më të mirë në karrierë, derisa vazhdon të shkëlqejë për klubin dhe shtetin.

I transferuar nga Coventry City për vetëm 3.5 milionë euro, çdo lëvizje e Wilsonit ishte si një lloj kumari për shkak të fatit të tij të keq me lëndimet. Por, një sulmues që e di se ku është goli, kur është në formë, është gjithmonë i mirëseardhur për trajnerët.

Me një dygolësh në debutimin e tij për klubin, për ironi të fatit pikërisht ndaj Huddersfiedlit, ekipi i të cilit shënoi edhe të martën, ai e udhëhoqi klubin drejt ngjitjes në Premierligë, duke realizuar 20 gola.

Këto ditë Wilson është vështirë që të injorohet dhe nuk është befasi e madhe që Chelsea mund të tentojë të bëjë një ofertë për të siguruar shërbimet e tij në fund të edicionit.

Nga një gol ndaj Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt, një gol në debutimin e tij për Anglinë ndaj SHBA-së dhe një gol në fitoren 2:1 ndaj Huddersfieldi, ish-futbollisti i Tamworthit është në listën e golashënuesve më të mirë të këtij edicioni. Ai e ndan shifrën e njëjtë të golave me Sergio Agueron, Raheem Stelingun dhe Glenn Murrayt.

Skuadra është e mbushur me histori të suksesshme të lojtarëve që kanë kushtuar vetëm qindra mijëra euro.

Simon Francis, Steve Cook dhe Charlie Daniels ishin të gjithë pjesë e Tranmere Roversit në kategorinë e tretë angleze në maj të vitit 2012. Ata i kushtuan klubit rreth 400.000 euro, disa prej lojtarëve të pjesës së epërme të ligës angleze e kanë këtë shifër si pagë javore.

Në repartin e sulmit përkrah Wilsonit dhe Fraserit është edhe ish-lojtari i Manchester Unitedit, Joshua King. Reprezentuesi norvegjez realizoi dy herë ndaj Unitedit. Pavarësisht shkëlqimit të tij me Blackburnin, që e donte mbajtjen e tij, Bournemouthi nënshkroi me të si transfero të lirë.

Tottenhami kishte shprehur interesim për të në fund të edicionit të kaluar, kur ai e mbylli edicionin si golashënuesi më i mirë i klubit me 16 realizime. Por, pak më vonë u nënshkrua një kontratë e re katërvjeçare.

Renditja më e lartë e këtij klubi në Premierligë është pozita e nëntë, por forma e dobët e Manchester Unitedit e ka hapur derën që klubi të mundë të përfundojë në mesin e gjashtë ekipeve të para. Dhe nëse arrijnë ta bëjnë këtë do të jetë për shkak të kontributit të futbollistëve që u transferuan me çmime të lira./Zëri