Ismet Munishi zbulon se e refuzoi këtë klub të huaj për Vëllaznimin!

Sport December 06, 2018 - 18:51
Detajet

Ismet Munishi e ka konfirmuar besnikërinë e tij karshi Vëllaznimit, shkruan Zeri.info.

Trajneri i njohur kosovar ka zbuluar të enjten se e ka refuzuar një ofertë serioze nga Turqia pasi nuk dëshiron ta lë në gjysmë projektin e nisur me klubin gjakovar, të cilin synon ta ngrisë në nivelet më të larta të futbollit kosovar.

“Zëri” merr vesh ekskluzivisht se klubi për të cilin bëhet fjalë është Daraca Genclerbirligi, i cili ka gjasa të mira që sezonin e ardhshëm të ngritet në kategorinë e dytë të futbollit turk.

Megjithatë, ai vazhdon t’i mbajë kontaktet me klubet turke, ku ka luajtur si futbollist dhe nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ta marrë drejtimin e ndonjë klubi turk.

“Tash e kam pasur një ofertë për Turqi. Nuk është oferta nga Superliga, as nga Liga e Parë, por nga Liga e Dytë e Turqisë. Oferta ka qenë shumë konkrete. Disa miq të mi e kanë privatizuar klubin, i cili nuk ka ecur shumë mirë. Unë kam luajtur në Turqi dhe kam njerëz të futbollit që i njoh atje. Ideja e tyre ishte që unë të shkoja me disa lojtarë të Kosovës. Sidoqoftë, unë për momentin të gjitha planet e mia janë të lidhura me Vëllaznimin. Të shohim në të ardhmen”, ka thënë fillimisht Munishi në emisionin “Drive Time me Shukin” në “Radio Prishtina”. /Zëri/