Ki, i gatshëm për luftë

Ki, i gatshëm për luftë

Sport dhjetor 06, 2018 - 14:08
Detajet

Mesfushori i Newcastle Unitedit, Ki Sung-yueng, është i gatshëm t’i shërbejë Koresë së Jugut si ushtar në rast nevoje. Koreja e Jugut vazhdon të ketë marrëdhënie fragjile me Korenë e Veriut dhe Ki thotë se ai është i gatshëm të shkojë në luftë për ta mbrojtur vendin e tij. Ai kishte qenë pjesë e shërbimit ushtarak të vendit të tij para dy vjetësh, shkruan sot, gazeta “Zëri”

“Unë kam gjuajtur një armë”, fillon Ki Sung-yueng. “Si quhet? Ajo me maje? Një granatë? Po, një granatë”, vazhdon ai, duke e treguar edhe me gjeste. “Pastaj ju vraponi dhe e bëni këtë”, thotë ai duke ngritur dy duart e tij lart dhe duke mbrojtur kokën.

Ajo që Ki dëshiron të theksojë është se ai është i gatshëm për luftë. Jo për një betejë me Newcastlen në Premierligë, por një luftë të vërtetë me granata dhe armë.

Ki është kapiten i kombëtares së Koresë së Jugut, shtet i cili vazhdon të ketë marrëdhënie fragjile me Korenë e Veriut. Konflikti mes tyre daton qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjen e Koresë, që çoi drejt luftës së vitit 1950 dhe 1.2 milion viktimave.

Frika për një konflikt të ri bën që çdo burrë i Koresë së Jugut, madje edhe sportistët e njohur, të kryejë shërbimin ushtarak për t’i përgatitur ata për një thirrje eventuale në të ardhmen. “Unë do të isha i gatshëm. Dua të jem gati. Dua të ndihmoj vendin tim. Do të duhej t’i thosha trajnerit tim Rafa Benitez: ‘Unë do të shkoj nesër, unë do të shkoj që të mbroj familjen dhe vendin tim’”, shprehet ai.

Ai flet për kampin ushtarak ku ishte stërvitur për t’u bërë një ushtar në vitin 2016. “Unë zgjohesha çdo ditë në orën 6:30 të mëngjesit. Ju mblidheni para ndërtesës dhe aty 250 prej nesh këndojmë himnin kombëtar. Në mëngjes ju mësoni ndonjë aftësi: gjuajtje me armë, gjuajtjen e granatës. Pastaj në mesditë ju testoheni. Unë isha i tmerrshëm me armë. Ju gjuani 20 plumba çdo herë në tre objektiva nga 100, 150 dhe 250 metra, por unë ia qëlloja vetëm shtatë herë. Granatën duhej ta hidhja në një vrimë në një largësi prej 30 metrash. Isha më i mirë në këtë. Një ditë ne duhej të paketonim të gjitha gjërat dhe të mbanim një armë në një shëtitje prej 20 kilometrash”, kujton mesfushori i Newcastlet.

Por, a ishte kjo më e lehtë për një atlet si ai? “Jo, fare. Unë do të preferoja që të vrapoja rreth një fushe të futbollit”, thotë ai, derisa fytyra e tij tregon gjithçka. “Pastaj neve na vendosnin në një dhomë gazi. Ne duhej të qëndronim aty për një minutë. Pas asaj minute ju duhet të ndryshoni maskat me partnerin tuaj. Ju nuk mund të merrni frymë. Disa qanin, hundët dhe sytë e tyre rridhnin. Ishte çmenduri, ishte shumë e frikshme”, shprehet Ki.

Ki është i martuar me aktoren koreano-jugore Han Hye-jin dhe dasma e tyre ishte kryelajm në vitin 2013. Një vit më herët ai e udhëhoqi vendin e tij drejt medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të Londrës, një arritje që ia lejoi atij të shërbejë vetëm për katër javë në vend të 18 muajve. Ai e pranon se njihej nga ushtarët e tjerë, pavarësisht se e kishte lënë fanellën për uniformën ushtarake. “Unë dhe gruaja ime nuk jemi Posh dhe Becks, por po, të gjithë e dinin se kush isha. Por atmosfera nuk është sikur dikush të thotë ‘oh Ki, a mund ta nënshkruash topin tim?’. Ju s’mund të flisni me personin afër jush, të gjithë i ndjekin udhëzimet. Por unë i vlerësova të gjithë burrat në ushtri, i respektoja shumë ata. Ata sakrifikojnë jetën e tyre për të mbrojtur shtetin tonë. Unë mësova gjëra që nuk do t’i mësoja kurrë. Do të thotë që jam i gatshëm për të luftuar nëse vjen lufta, sepse unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, thotë Ki.

Ki e di se çfarë do t’i pëlqente atij të ndodhë. Ai tregon sesi ka familjarë të cilët nuk i ka takuar kurrë në Korenë e Veriut. Zëri i tij zbutet kur e zbulon këtë gjë, sepse për shkak të territ informativ familjarët e tij në shtetin komunist nuk e dinë se ai është një futbollist i famshëm. “Do t’i doja Korenë Veriore dhe atë Jugore bashkë. Ne jemi një popull. Gjyshërit e mi, ata u arratisën nga Veriu pas luftës në të 1950-at. Një pjesë e madhe e familjes nga gjyshërit e mi janë ende në Korenë e Veriut dhe unë kurrë nuk kam qenë aty, ata nuk e dinë se kush jam, kjo më bën që të ndihem i trishtuar”, shprehet ish-futbollisti i Swanseas.

Ki ishte 13-vjeçar kur babai i tij vendosi që dërgimi i tij në Australi ishte vendimi më i mirë për zhvillimin e tij akademik dhe sportiv. “Babai im ishte një njeri i mençur”, thotë ai. Pa dyshim që ai ishte shumë më i mençur sesa klasorët e tij, të cilët e shqiptonin emrin e tij me shumë vështirësi. “Ata më thërrisnin Dave. Mësuesi kërkoi që të kem një emër anglez dhe unë thjesht doja të isha normal, kështu që e zgjodha emrin David”, tregon ai.

Ki nuk fliste anglisht kur arriti në kolegjin “John Paul” në Brisbane dhe edhe pas nëntë vjetëve në Britaninë e Madhe ai ende është duke mësuar. “Unë shikoj ‘Netflix’ për ta përmirësuar anglishten. Serialet e preferuara? Më pëlqen ‘Homeland’ dhe ‘Narcos’. Por, në fillim ishte një gjë e vështirë për mua në Australi, pa familjen time dhe pa folur gjuhën. Unë isha i frikësuar. Të gjithë më pyesnin ‘pse shkove në Australi?’. Por babai im e dinte për mundësinë, edhe atëherë ai mendonte se unë do të luaja në Premierligë dhe që kisha nevojë të flisja anglisht. Ai ishte një trajner futbolli në shkollën e mesme dhe unë isha në Australi kur e kisha moshën për shkollë të mesme, kështu që ai e humbi lojtarin e tij më të mirë! Por, ai zgjodhi atë që ishte më e mira për mua”, thotë ai.

Ki ishte nënshkruar nga FC Seoul pas kompletimit të edukimit të tij para se të shkonte te Celticu për 2.1 milionë funte në vitin 2009.

Tre vjet më vonë ai u transferua te Swansea për 6 milionë funte, kohë gjatë së cilës pati një huazim të suksesshëm te Sunderlandi, por rënia nga liga me Swansean në edicionin e kaluar bëri që të pranonte një thirrje nga Benitez dhe shkoi te Newcastle si transferim i lirë.

Ki, siç kishte bërë shkak Benitezi gjatë javës së kaluar, ishte personi kyç në tri fitoret radhazi të ekipit të tij. Ai ishte përsëri lojtari më i mirë për Newcastlen të shtunën, por nuk mundi të ndalojë humbjen prej 3:0 nga West Hami.

Atij i pëlqen gjithçka nga verilindja e Anglisë përveç motit të errët dhe të lagësht gjatë gjithë kohës dhe ai është njëri prej pak lojtarëve të njohur nga tifozët e Newcastlet dhe Sunderlandit, klub të cilin e kishte ndihmuar të arrinte në finalen e Kupës së Ligës në vitin 2014.

Gruaja e tij dhe vajza trevjeçare janë me të dhe ardhja e sulmuesit japonez Yoshinori Muto, i cili ashtu si Ki ka pasion për peshkimin dhe ata kanë planifikuar që në fund të edicionin të festojnë te lumi Tyne. “Kur të mbijetojmë unë dhe Yoshinori mund të shkojmë në peshkim, sepse ne nuk do të shkojmë në këtë mot. Nuk jam aq i zoti, por më pëlqen”, përfundon Ki.

Ki duhet të shpresojë që vetëm peshkimi të jetë një barrë e rëndë për shpatullat e tij dhe që ai të mos e përdorë kurrë një granatë dore./Zëri