Kozniku krenar, e nderoi dhe e vlerësoi Kroacia!

Sport December 06, 2018 - 12:40
Detajet
Image

Ardian Kozniku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Kroaci. Legjenda e futbollit shqiptar e ka kaluar pjesën më të artë të karrierës duke luajtur për Hajdukun, për Dinamo Zagrebin dhe për përfaqësuesen kroate. Dhe kroatët e kanë vlerësuar së fundmi kontributin e tij duke ia besuar rolin e ndihmëstrajnerit të Përfaqësueses U-19. Kozniku ndihet krenar me vlerësimin që ia bënë kroatët dhe thotë se e ka aftësinë e përvojën e mjaftueshme për ta mbuluar postin e ri. Ndërkohë gjakovari nuk ia mbyll asnjëherë dyert vendit të tij – Kosovës

Ardian Kozniku ndihet krenar me vlerësimin që ia bënë së fundmi kroatët, shkruan sot gazeta Zëri.

Legjenda e futbollit shqiptar është emëruar ndihmëstrajner i Përfaqësueses U-19 të Kroacisë, të cilën do ta drejtojë së bashku me trajnerin kroat, Ivan Gudelj.

Trajneri gjakovar thotë se kroatët nuk ia harrojnë asnjëherë ato çka ka bërë si futbollist, kur kishte luajtur për Hajduk Splitin dhe për Dinamo Zagrebin, por edhe për përfaqësuesen e Kroacisë.

Megjithatë ai shton se kjo nuk është arsyeja kryesore se përse ia kanë besuar postin e ri. Ai mendon se e ka aftësinë dhe përvojën e duhur si trajner për ta mbuluar pozitën e re, duke e pasur parasysh eksperiencën që e ka fituar viteve të fundit me skuadrat e tij.

“Jam krenar për këtë post që më është dhënë, pasi këtu është shumë e vështirë të depërtosh sepse është konkurrenca e fortë. Ma kanë besuar që ta drejtoj gjeneracionin U-19 të Kroacisë së bashku me Ivan Gudeljn. Kush dëshiron le t’i gëzohet këtij lajmi e kush nuk do të mos i gëzohet. Sidoqoftë, unë kam marrë urime të shumta, qoftë nga Kroacia, qoftë Kosova ose edhe nga diaspora. Telefoni im nuk ka pushuar së fundmi. Ma kanë uruar postin e ri aq shumë njerëz, si gjatë festave”, ka thënë Kozniku për “Zërin”.

Kozniku: Kam punuar për të arritur deri këtu

Kozniku bëhet trajneri i parë nga Kosova i cili drejton një përfaqësuese të huaj dhe sigurisht se ky fakt i bën krenarë krejt shqiptarët.

“Kjo nuk është bërë brenda natës, por është një rezultat i punës sime shumëvjeçare. Mendoj se e kam treguar veten me punë e jo vetëm pse kam emër në Kroaci. Është një ndjenjë fantastike për mua, pasi dihet se Kroacia është e dyta në botë dhe ka talente të mëdha. Të gjithë e dinë se kush jam. Unë kam qenë pjesë e Federatës Kroate ndër vite dhe erdhi koha për t’iu bashkuar stafit të ekipit U-19, jam krenar për këtë. Më është bërë një nder dhe për mua do të jetë një përvojë edhe më e madhe. Kjo skuadër është kualifikuar në Evropian dhe do të mundohemi ta bëjmë më të mirën”, vazhdoi Kozniku.

Image

I gatshëm kurdoherë për Kosovën

Ish-futbollisti i njohur kosovar është shprehur haptas disa herë në dispozicion për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës në vitet e fundit.

Mirëpo Federata e Futbollit të Kosovës ka preferuar pista tjera. Sidoqoftë, ai nuk mban mëri me askënd, madje shprehet i gatshëm dhe në dispozicion që edhe në të ardhmen të ndihmojë, të kontribuojë ose të kryejë çfarëdo pune për të mirën e futbollit kosovar, në dispozicion të të cilit ka qenë gjithmonë.

“Të gjithë e dinë që jam shqiptar dhe që jam gati të bëj gjithçka për vendin tim. Ka pasur shumë njerëz të cilët kanë pasur dëshirë që unë ta drejtoja Kosovën dhe, edhe unë kam qenë i gatshëm me vite të tëra. Kam qenë dhe jam i përgatitur. Por le ta vlerësojnë vetë nëse e kanë humbur një njeri si unë ose jo. Kam qenë dhe jam në dispozicion çdoherë, por me zor nuk mund të shkoj askund. Sidoqoftë, unë jam në dispozicion edhe për të ardhmen pasi jam i gatshëm ta jap kontributin tim për Kosovën. Jam shqiptar dhe për shqiptarët jap gjithçka”, shprehet tutje Kozniku, i cili thotë se nuk e pëlqen faktin se futbollistët që i bashkohen Përfaqësueses së Kosovës menjëherë bëhen heronj e ata që i zgjedhin përfaqësueset tjera kritikohen dhe i qesin shumë poshtë.

Sipas tij, ka pasur shumë futbollistë që kanë dashur të vijnë për të luajtur për Kosovën, por që për një arsye ose tjetrën nuk janë bërë pjesë e “Dardanëve”. /Zëri/