Shkaku i Kosovës, kështu mund ta pësojë ky shtet i madh botëror!

Sport December 06, 2018 - 12:34
Detajet
Image

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka paralajmëruar Indinë se vazhdimi i refuzimit të vizave për sportistët nga Kosova mund t’i kushtojë këtij vendi me heqje të të drejtës për të organizuar evenimente ndërkombëtare të sportit.

“IOC-ja i ka dërguar letër qeverisë së Indisë dhe Komitetit Olimpik të këtij vendi”, thotë një burim brenda IOC-së në Lausanne, shkruan sot gazeta Zëri.

Ky vendim i IOC-së për Indinë vjen në kohën kur ky shtet po përgatitet që ta kërkojë përkrahjen e qeverisë për ta zyrtarizuar konkurrimin për t’i organizuar Lojërat Olimpike dhe “Paraolimpike 2032”.

Kosova nuk mundi të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, i cili u mbajt muajin e kaluar në New Delhi pasi përfaqësueses së saj të vetme Donjeta Sadikut i është refuzuar viza nga qeveria indiane. India nuk e njeh Kosovën si shtet dhe kjo ishte arsyeja e refuzimit.

Komiteti Olimpik i Indisë planifikon të bisedojë për këtë situatë në mbledhjen e Bordit, e cila do të ndodhë më 22 dhjetor.

IOC-ja nga ana e saj ka kërkuar nga të gjitha federatat ndërkombëtare të marrin garanci përmes një letre nga autoritetet indiane para se këtij vendi t’i jepet e drejta e organizimit të evenimenteve.

Kërkesa e IOC-së është pjesë e mbrojtjes së principeve bazike të autonomisë dhe të mosdiskriminimit, në të cilin thirret Lëvizja Olimpike.

Image

IOC-ja thotë se nëse India nuk e garanton lejimin e udhëtimit të të gjithë sportistëve pjesëmarrës, këtij vendi nuk do t’i lejohet organizimi i evenimenteve ndërkombëtare sportive.

Këmbëngulja dhe kërcënimi i IOC-së ka pasur efekt kur pak ditë më parë qeveria spanjolle u detyrua të lëshojë pe dhe të vendosë që tash e tutje sportistëve nga Kosova t’ia mundësojë pjesëmarrjen pa kushte pasi së fundmi atyre nuk ua lejoi përdorimin e simboleve shtetërore në Botërorin e Karatesë, i cili u mbajt në Madrid.

“Në të njëjtën kohë IOC-ja i ka dërguar letër specifike edhe Indisë”, thotë burimi i IOC-së për “Art”.

Më 8 dhjetor IOC-ja do ta mbajë Samitin Olimpik në Lausanne dhe në agjendë është një pikë në të cilën do të diskutohet edhe për të drejtat e udhëtimeve të sportistëve për ta përfaqësuar vendin përkatës.

Ndërkohë Komiteti Olimpik i Indisë (IOA) frikësohet se shkaku i Kosovës mund ta humbasë garën për ta organizuar Olimpiadën dhe Paraolimpiadën në vitin 2032. Andaj IOA-ja kërkon nga qeveria ta mbështesë dhe ta ndryshojë qëndrimin karshi sportistëve nga Kosova.

India ia mohoi Donjeta Sadikut pjesëmarrjen në dy kampionate botërore, vjet në atë për të Reja dhe sivjet në Botërorin për Seniore shkaku i vizës.

Boksierja kosovare shpreson se ky të jetë rasti i fundit që i mohohet një e drejtë elementare. /Zëri/