Ronaldo e dëshiron 'Topin e Artë' me Juven

Sport December 06, 2018 - 11:09
Detajet

Massimiliano Allegri është i zhgënjyer që futbollisti i tij Cristiano Ronaldo nuk arriti dot ta fitojë “Topin e Artë”, por shprehet se portugezi pa dyshim që do të mundohet ta fitojë këtë çmim individual me fanellën e gjigandit torinez, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, thotë se Cristiano Ronaldo do të jetë edhe më i motivuar pas dështimit për të fituar “Topin e Artë” për herë të gjashtë në karrierë, ndërsa shprehet se portugezi do të kërkojë që ta fitojë këtë çmim individual me fanellën e torinezëve.

Ronaldo mbeti në vendin e dytë pas ish-bashkëlojtarit të tij te Real Madridit, Luka Modric, në garën për “Topin e Artë”. “Është zhgënjyese sepse ai pa dyshim që do ta kishte merituar ta fitojë për atë që ka bërë me Real Madridin. Ai nuk do të mundë të shkonte më tutje sesa që ka shkuar në Kupën e Botës me Portugalinë. Motivimi i tij tani është që ta fitojë në vitin e ardhshëm me Juventusin”, ka deklaruar Allegri.

“CR7 është një model për të gjithë futbollistët, edhe me të gjitha sukseset e tij dhe në moshën 33-vjeçare ai ende është i përqendruar në çdo detaj. Vetëm talenti i tij nuk ka të bëj me të qenët në këtë nivel. Ai është një djalë i mirë, ai është bashkuar mirë me grupin dhe e ka rritur nivelin tonë të profesionalizmit, që është gjithmonë pjesë e Juventusit”, ka shtuar ai.

Ish-trajneri i Milanit u pyet edhe për ndeshjen e së premtes kundër Interit. “Është një ndeshje e vështirë, emocionuese dhe e mrekullueshme kundër një ekipi të madh me shumë kualitete teknike. Ne duhet të sigurohemi që jemi të gatshëm, por ekipi është në formë të mirë dhe ne kemi arritur në kondicionin më të mirë të mundshëm. Është një ndeshje e madhe sepse ne jemi një pozitë të mirë në krye të tabelës, Interi është i treti dhe është duke bërë mirë. Është ndeshja e vitit sepse është ‘Derby d’Italia’ dhe është gjithmonë njëra prej më të vështirave, me notën pesë nga pesë në shkallën e vështirësisë”, u shpreh italiani, i cili e lavdëroi sulmuesin Mauro Icardi. “Mauro Icardi është një qendërsulmues i madh dhe një kundërshtar i vështirë, por unë jam më shumë se i lumtur me lojtarët sulmues të Juventusit”, përfundoi ai.