Rikthimi i heroinës së Kosovës

Sport December 05, 2018 - 13:02
Detajet
Image

Majlinda Kelmendi i ka dhënë fund periudhës së errët prej më shumë se një viti për shkak të lëndimit, shkruan sot gazeta Zëri.

Xhudistja kosovare është rikthyer furishëm javë më parë në sportin që ajo e dashuron dhe fitoi menjëherë medalje.

Ajo e ka kujtuar periudhën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar sa ishte e lënduar.

“T’i humbja 14 muaj ishte mjaft e vështirë për mua, sepse nuk mund të bëja xhudo, nuk mund të garoja, sepse mua më pëlqen shumë të garoj, më pëlqen shumë të ushtroj. Për këtë më duhej të bëja gjëra tjera për ta harruar se nuk jam në gjendje ta bëj atë që dua, atë që më bën të lumtur. Por, të jem e sinqertë, kjo nuk funksionoi sa duhet. Udhëtimet mendoja se do të më bënin të lumtur, por kjo nuk ndodhte. Bëja shoping, por as kjo nuk më ndihmonte shumë. Asgjë nuk funksiononte, asgjë nuk më bënte të lumtur”, ka thënë fillimisht heroina e sportit kosovar për uebfaqen e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Majlinda nuk e fsheh faktin se dëshironte të garonte në Botërorin e këtij viti, por që e dëgjoi trajnerin Driton Kuka dhe në fund nuk rrezikoi, duke e shtyrë rikthimin.

“Po planifikoja të kthehesha në Budapest, por trajneri më tha se do të ishte më mirë ta merrja më me të qetë, sepse si person unë i bëj shumë presion vetes, posaçërisht kur bëhet fjalë për xhudo. Më pas po e bëja të pamundurën të garoja në Kampionat Botëror, por trajneri im ishte shumë kundër kësaj ideje dhe mendonte se do të ishte më mirë që unë të rifilloja në tetor ose në nëntor. Dhe, jam e lumtur që rifillova mirë. Nuk është e lehtë të kthehesh, nuk është e lehtë kur je heroinë në vendin tënd dhe kudo që shkoj për të garuar të gjithë thonë se ajo do të shkojë atje për të fituar medalje të artë. Ajo që nuk më pëlqen është që kur fitoj medalje të argjendtë ose të bronztë askush nuk ma uron. Njerëzit janë mësuar që unë të fitoj medalje të artë, prandaj kjo gjë po më bën paksa presion tash”, vazhdoi ajo.

Majlinda thotë se ndihet mjaft e lumtur që u rikthye pasi i kaloi 14 muaj mjaft të vështirë, posaçërisht në aspektin mental, ngase për afro tre muaj e tëra çka mund të bënte ishte të ushtronte 20 minuta në ditë.

“Kur e mendoj medaljen e fundit të artë që e fitova, ishte ndjenja e njëjtë sikur kur e fitova medaljen e artë olimpike. Medalja e artë më bëri të ndihem sikur jam kthyer në jetë përsëri”, përfundoi Majlinda. /Zëri/