ZYRTARE: Kozniku bëhet trajner i kësaj Përfaqësueseje!

Sport December 04, 2018 - 18:55
Detajet

Ardian Kozniku vazhdon të vlerësohet me të madhe në shtetin kroat, ku kishte lënë gjurmë si futbollist, shkruan Zeri.info.

Ish-futbollisti i njohur shqiptar e ka marrë një propozim mjaft interesant dhe një pozitë të privilegjuar nga Federata Kroate e Futbollit.

Ish-përfaqësuesit kroat i është propozuar t’i bashkohet stafit të përzgjedhësit Ivan Gudelj për ta drejtuar së bashku Përfaqësuesen U-19 të Kroacisë.

Kozniku e ka pranuar me kënaqësi këtë pozitë dhe ai do të rrugëtojë së bashku me kroatët e rinj në Kampionat Evropian, ku janë kualifikuar ata.

“Jam shumë i lumtur që më kanë propozuar dhe që do të jem pjesë e ekipit përfaqësues kroat së bashku me Ivan Gudelj në Kampionatin Evropian”, ka thënë Kozniku për “Zërin”.

Legjenda e futbollit shqiptar, i cili e kishte fituar medaljen e bronztë në Botërorin 1998 me Kroacinë, ishte shprehur i gatshëm ta udhëheq Përfaqësuesen e Kosovës, por Federata e Futbollit të Kosovës ka menduar për opsione tjera. /Zëri/