Prishtina synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në pranverë

Sport December 04, 2018 - 15:39
Detajet
Image

FC Prishtina u shpall kampione e vjeshtës në futbollin kosovar pasi e dominoi Superligën në pjesën e parë të kampionatit, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit ishin të shkëlqyeshëm duke i mbyllur 17 ndeshje me 12 fitore, 4 barazime e 1 humbje, ndërsa i prijnë tabelës me 40 pikë, një pikë më shumë se Feronikeli.

Trajneri Mirel Josa shprehet i kënaqur me skuadrën e tij, por thotë se titulli i kampionit vjeshtor nuk çon shumë peshë.

Për të më me rëndësi është që të vazhdohet me ritëm të njëjtë edhe në pranverë, në mënyrë që në fund të festojnë prishtinasit, të cilët janë duke e pritur titullin e kampionit qe një kohë të gjatë.

“Diferencat këtu në futbollin e Kosovës po s’qe i disiplinuar shuhen shumë shpejt. Kështu që ne nuk duhet shkuar me mendjen që ndeshjet duhen fituar, duhen fituar në rregull, por duhen fituar me disiplinë dhe me mend, jo duke përdorur përpara vrullin dhe forcën fizike. Unë deri më tash futbollistët që i kam ma kanë bërë punën mirë, skuadrës ia kanë bërë punën mirë”, ka thënë fillimisht trajneri shqiptar, i cili është i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij.

“Unë nuk bëj krahasime me skuadrat tjera, ndërsa e shihni ku janë dallimet, diferenca është vetëm një pikë me Feronikelin, gjithashtu me Llapin është vetëm 5 pikë dhe vetëm një ndeshje e të çon në vend të tretë. Kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. Ne duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, disiplinë për sa i përket lojës dhe stërvitshmëria për t’u përgatitur për ndeshje. Këto janë gjërat që më interesojnë, pastaj kampioni i dimrit që është marrë me shumë pompozitet për mua nuk ka rëndësi fare”, nënvizoi Josa.    

Ai ka folur edhe për lëvizjet eventuale të Bardhekaltërve gjatë dimrit, edhe pse nuk duket shumë ithtar për të bërë ndryshime në skuadër.

“Unë nuk jam shumë për lëvizjet e dimrit, nuk më pëlqejnë fare lëvizjet e dimrit sepse s’ka ndonjë gjë cilësore. Ne nuk po gjejmë gjatë verës e lëre më gjatë dimrit. Çfarë futbollistësh do të merrnim, futbollistë që nuk luajnë në skuadrat tjera? Ka futbollistë të lirë që mund të vijnë në Prishtinë, të cilët mund të jenë më cilësorë se ata që i kemi. Kështu që do t’i bëjmë shumë mirë llogaritë dhe unë në përgjithësi jam 50-50 për lëvizjet e dimrit”, përfundoi ai.

Korenica: Synojmë ta mbyllim sezonin me sukses

Meriton Korenica e shënoi njërin nga dy golat e Prishtinës të dielën në fitoren 2:0 ndaj Dritës.

Mesfushori kosovar ndihet i kënaqur me pjesën e parë të sezonit, ndërsa pret që kryeqytetasit ta kurorëzojnë kampionatin me titull të kampionit.

“Ishte ndeshja e fundit kampionale e këtij stinori dhe shumë e rëndësishme për ne që e përfunduam me vendin e parë dhe duke na mbetur edhe një lojë e Kupës besojmë se do ta përfundojmë vitin me shumë sukses dhe të vazhdojmë tutje”, u shpreh mesfushori kualitativ. /Zëri/