Askush si Ronaldo!

Sport November 30, 2018 - 13:46
Detajet

Cristiano Ronaldo ka lënë gjurmë kudo që ka shkuar. Ylli portugez ka nisur t’i radhitë rekordet një pas një edhe në Juventus. Askush nuk ka shënuar gola aq shumë në fillim të eksperiencës me “Bianconeri” dhe askush sa ai nuk ka fituar ndeshje në Champions, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Magjia e Ronaldos? Nuk ka përfunduar ende. Kjo është më e bukura. Cristiano është ende eksploziv, me fuqi dhe shpejtësi. Në njëfarë mënyre është duke i ndryshuar rregullat dhe mundësitë e futbollit: edhe pse është 33 vjeç ka kapacitet të një të riu. Sigurisht, ai do të mbahet në mend gjithmonë për suksesin e jashtëzakonshëm, sidomos në Ligën e Kampionëve.

Pas fitores ndaj Valencias në mesjavë, ku ai asistoi për golin e Mario Mandzukicit, “CR7”-shi arriti në kuotën e 100 fitoreve në Champions. Është një numër i madh për t’u arritur, madje vetëm katër skuadra kanë arritur ta kalojnë këtë shifër: Real Madridi, Manchester Unitedi, Barcelona dhe Bayern Munichu.

Ndërkaq sa u përket futbollistëve është numër 1 i padiskutueshëm. Ai i ka kaluar Iker Casillasin, që ka arritur 99 fitore në Champions dhe Xavi Hernandezin, që kishte 91 sosh.

Ronaldo, “makineri e golit”

Gjatë verës kishte dyshime pas transferimit të Cristiano Ronaldos në Juventus. Askush nuk i diskutonte vlerat e lojtarit, por dyshimi ishte nëse do të mundë të adaptohej në kampionatin italian. “CR7”-shi megjithatë menjëherë e demonstroi klasin e tij absolut.

Deri më tash portugezi i ka realizuar 9 gola në Serie A dhe jo vetëm. Ai ka dhuruar shumë asistime të çmueshme për bashkëlojtarët e tij. Nëse shikohet në total sezoni i deritashëm, portugezi deri tash ka realizuar 11 gola në fanellën e Juventusit në 17 ndeshje.

Ai ka bërë më mirë se yje të së kaluarës që e kanë veshur fanellën e “Zonjës së Vjetër”. Mjafton ta shikojmë vitin e parë të Filippo Inzaghit (10 gola në 18 ndeshje), të Gonzalo Higuainit (në 20 ndeshje) dhe të David Trezeguet (në 29 ndeshje). Ronaldo është mjaft ambicioz dhe dëshiron të mposhtë edhe rekorde të tjera të shumta me fanellën e Juventusit.

Krahas 9 golave në Serie A, Ronaldo e ka shënuar një gol në Champions, atë ndaj ish-skuadrës së tij, Manchester United. Në atë natë megjithatë djelmoshat e Massimiliano Allegrit ishin mposhtur nga skuadra e udhëhequr nga Jose Mourinho. Përpos atij incidentit në barazimin me Genoan, Juventusi gjithmonë ka fituar me Ronaldon./Zëri