Kurrë mos thuaj kurrë!

Sport November 29, 2018 - 10:44
Detajet

Xherdan Shaqiri thotë se viti 2015 kur kaloi në Inter ishte vendi i duhur, por në kohën e gabuar, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti kosovar ka thënë se problemi i vetëm te “Nerazzurri” ishte ai infrastrukturor, ndërsa ylli i ri i Liverpoolit nuk ia mbyll derën një rikthimi eventual në Serie A edhe pse ndihet mjaft mirë në “Anfield Road”.

“Nuk mund të flas keq për Interin. Ata ishin muaj mjaft të rëndësishëm për mua”, ka thënë Shaqiri për “Gazzetta dello Sport”.

“Atje po ndodhnin ndryshime të mëdha, brenda dhe jashtë fushës. Shumë lojtarë të rinj kishin arritur në janar si unë, Podolski, Kovacic dhe disa të tjerë ishin larguar gjatë verës. Nuk ishte e lehtë, posaçërisht për këtë arsye. Sidoqoftë, nuk mund të flas keq për Interin”, vazhdoi futbollisti nga Zhegra e Gjilanit. Ai ka folur edhe për trajnerin Roberto Mancini, i cili nuk ia dha rastin sa duhet në “Giuseppe Meazza”.

“Nuk ka pasur probleme në mes nesh. Rezultati nuk ishte i madh dhe pozitiv në atë kohë, duke i konsideruar të gjitha gjërat. Milani është i bukur. Kam jetuar në qendër të qytetit, disa hapa nga universiteti dhe e gjeta veten në një vend të mrekullueshëm”, nënvizoi Shaqiri.

“Nuk mund të flas keq kurrë për Italinë ose për Interin. Unë ende e kujtoj mikpritjen e ngrohtë që ma patën bërë tifozët gjatë arritjes sime. Ishte e jashtëzakonshme, e pabesueshme. Nëse do të mund të ndryshoja diçka, do të ishte periudha kur isha atje sepse ndoshta iu bashkova Interit në kohën e gabuar”, thekson tutje përfaqësuesi zviceran, i cili nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi në të ardhmen në kampionatin italian.

“Sot Interi është klub tjetër, njëjtë si krejt liga italiane. Niveli është rritur në krahasim me tri vjet më parë. Ende e shijoj Serinë A dhe Italia është një vend i mrekullueshëm. Jam i lumtur në Liverpool, por në futboll nuk i dihet asnjëherë”, përfundoi Shaqiri, i cili e kishte nisur karrierën në Basel për të vazhduar më pas në Bayern Munich, Inter, Stoke City dhe tash në Liverpool.

Ai synon të ketë sukses në ekipin e Jurgen Kloppit në Premierligë dhe në Ligën e Kampionëve. /Zëri/