Viti i shqiponjës dykrenore (FOTO)

Sport November 27, 2018 - 13:49
Lexo Detajet
Image

Shqiponja dykrenore është bërë hit botëror gjatë vitit 2018. Për simbolin e shqiptarëve këtë vit është folur në të katër anët e globit falë sportit. Festimi i golave me shqiponjë i Xhakës, Shaqirit, Mustafit, Rashicës, Asllanit e të tjerëve ka bërë bujë të madhe, ndërkohë që prej disave është konsideruar edhe si provokim dhe festim me kahe politike. Sidoqoftë, efekti është arritur – për shqiptarët dhe për shqiponjën me dy krerë u fol gjithandej, shkruan Gazeta "Zëri"

Viti 2018 do të kujtohet gjithmonë për shqiponjën dykrenore. Simboli i shqiptarëve është bërë hit botëror gjatë vitit që po përfundon. Për shqiponjën këtë vit është folur në të katër anët e globit dhe atë vetëm përmes sportit.

Festimi i golave duke e formuar shqiponjën dykrenore me duar nga ana e futbollistëve shqiptarë ka bërë bujë dhe jehonë në krejt rruzullin. Disa e kanë pëlqyer këtë simbol e disa të tjerë e kanë konsideruar si provokim të pastër dhe festim me kahe politike. Sidoqoftë, ata që e bënë shqiponjën e kompletuan misionin dhe efekti u arrit – për shqiptarët dhe për shqiponjën me dy krerë u fol gjithandej.

Granit Xhaka

Granit Xhaka nisi gjithçka. Futbollisti kosovar e shënoi golin më të rëndësishëm dhe më domethënës të karrierës ndaj Serbisë në “Botërorin 2018” teksa po e përfaqësonte Zvicrën. Dhe futbollisti prishtinas festoi me shqiponjë dykrenore, duke i çartur serbët dhe rusët që ishin të pranishëm në stadium, por edhe ata që po e shikonin lojën përmes televizorit. Nga ana tjetër, futbollisti i Arsenalit u konsiderua si hero ndër shqiptarë.

Image

Xherdan Shaqiri

Atë që e bëri shoku i tij Graniti, e bëri edhe Xherdan Shaqiri në të njëjtën ndeshje. Ylli i ri i Liverpoolit ia siguroi fitoren Zvicrës ndaj Serbisë me golin e shënuar në fund dhe as atij s’kishte se si t’i mungonte shqiponja dykrenore. Kjo ishte mundësia e jetës, të cilën e shfrytëzoi edhe ai. Edhe Xherdani u bë njeriu më i urryer në Serbi, ndërkohë që shqiptarëve ua ndreqi natën. Hijeshinë shqiponjës dykrenore ia shtoi edhe futbollisti zviceran Stephan Lichtsteiner, i cili po ashtu festoi me shqiponjë duke iu bashkuar dy futbollistëve shqiptarë nga Kosova. Shaqiri e Xhaka u gjobitën nga FIFA për këtë veprim, por me siguri se ia ka vlejtur pasi asnjë çmim nuk do ta shpaguante atë ndjenjë dhe atë lloj festimi.

Image

Kosovare Asllani

Festës me shqiponjë nuk iu ndalën futbollistët shqiptarë. Madje edhe futbollistja Kosovare Asllani festoi në mënyrë të tillë pas golit që ia shënoi Ukrainës. Suedia, të cilën e përfaqëson ajo, ia tërhoqi vërejtjen dhe e këshilloi të mos festojë më me shqiponjë, por Kosovarja nuk garantoi se nuk do ta përsërisë këtë festim pasi nuk sheh asgjë të keqe për të festuar me simbol kombëtar dhe shtoi se në ato momente nuk mund të kontrollohen ndjenjat.

Image

Shkodran Mustafi

Një futbollist që njihet se feston me shqiponjë dykrenore është edhe Shkodran Mustafi. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia nuk e ka fshehur asnjëherë prejardhjen e tij dhe kur shënon, edhe pse rrallë, feston duke e formuar me duar simbolin kombëtar shqiptar. Një gjë të tillë e bëri edhe gjatë këtij viti.

Image

Milot Rashica

Milot Rashica e la Kombëtaren shqiptare për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës, por atë ky fakt nuk e bën më pak shqiptar. Ai e ka demonstruar shpesh se është patriot dhe atdhetar duke e formuar shqiponjën dykrenore me Kosovën, por edhe me Werder Bremenin. Gjithashtu mbrojtëset e tij i mban të kuqe me flamur kombëtar.

Image

Të tjerët

Gjatë vitit që po shkon shqiponjën dykrenore e ka formuar edhe futbollisti i Dritës Liridon Leci në garat ndërkombëtare. Por një gjë të tillë e ka bërë edhe këngëtarja nga Kosova Era Istrefi në një stadium të Rusisë gjatë “Botërorit 2018” pas performimit të saj./ZERI