‘Dardanët’ dhe ‘Plisat’ i bën bashkë veç suksesi i shqiptarëve!

Sport November 27, 2018 - 12:01
Lexo Detajet
Image

Edhe ky 28 Nëntor po i gjen të ndara në qëndrime tifozeritë e futbollit shqiptar. Disa prej tyre e kanë prioritet Kombëtaren shqiptare, e të tjera Përfaqësuesen e Kosovës. “Dardanët” thonë se Verdhekaltrit duhet të jenë primarë për çdo tifoz nga Kosova dhe janë të hapur për t’i pritur tifogrupet që duan t’ju bashkohen, derisa shtojnë se në zemër e kanë edhe ekipin Kuqezi. Nga ana tjetër, “Plisat” thonë se iu gëzohen sukseseve të krejt shqiptarëve. Ata kërkojnë të mos ketë përçarje dhe ndasi dhe të punohet bashkërisht në arritjen e qëllimit – bashkimin kombëtar. Për momentin, bashkimi i këtyre dy tifozerive duket i vështirë, por qëllimin final ato e kanë të përbashkët: suksesin e krejt shqiptarëve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tifozeritë shqiptare vazhdojnë të jenë të ndara në qëndrime. Një pjesë e tyre e kanë prioritet Përfaqësuesen e Kosovës, e të tjera Kombëtaren shqiptare. Pra, edhe një festë e 28 Nëntorit po i gjen tifozët shqiptarë me mendime të kundërta, mbi të gjitha ata nga Kosova.

“Dardanët” njihen si tifogrupi zyrtar i Kosovës, por thonë se e kanë në zemër edhe Kombëtaren shqiptare, të cilën e mbështesin po ashtu. Mirëpo, insistojnë se Kosova duhet të duhet së pari.

E opozita kryesore e tyre janë “Plisat”, të cilët vazhdojnë ta mbështesin me të madhe ekipin Kuqezi edhe fizikisht, ndërsa mungojnë në stadium kur luajnë Verdhekaltrit. Sidoqoftë, tifozët prishtinas nuk është se nuk i gëzohen suksesit të Kosovës.

Për momentin, bashkimi i tyre duket i vështirë, por qëllimin final e kanë të përbashkët: suksesin e krejt shqiptarëve.

Berisha: Të gjithë janë të hapur të na bashkohen

Kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha thotë se tifogrupi zyrtar i Kosovës është duke e bërë punën e tij si është më së miri duke krijuar atmosferë brenda dhe jashtë Kosovës.

Ndërkohë, shton se ky tifogrup është gjithmonë i hapur që t’i bashkohen tifozeritë shqiptare në përkrahje të Verdhekaltërve.

Ai shprehet i bindur se dalëngadalë Kosovën do ta përkrahin edhe tifozeritë që për momentin nuk janë përkrah saj.

“Jam më se i kënaqur me ecurinë e deritashme. I kemi përafërsisht diku rreth 5 mijë anëtarë, mirëpo e kemi limituar numrin sepse nuk kemi kapacitet t’ju sigurojmë bileta të gjithëve”, shprehet ai fillimisht për “Zërin”.

“Besoj se jemi të vetmit në Evropë që i kushtojmë shumë vëmendje atmosferës, e sidomos kulturës dhe sjelljeve. Të gjitha këto janë dëshmuar qe dy vjet falë punës së kryesisë sonë dhe të mbarë ‘Dardanëve’”, ka shtuar “Luli”.

A do të ishte mirë që edhe tifozë nga Shqipëria ta mbështesin në stadium Kosovën?

“Normalisht ne jemi të hapur për të gjithë. Ne kemi tifozë nga e gjithë Kosova, por kemi tifozë edhe nga Kosova Lindore, nga Tetova, Shkupi dhe bota e jashtme”, nënvizoi ai.

Berisha tregon se ky tifogrup nuk ka mundur ta mbështesë Kombëtaren shqiptare fizikisht për shkak se Shqipëria dhe Kosova kanë luajtur në të njëjtën kohë, por shton se “Dardanët” gjithmonë janë në përkrahje të Kuqezinjve.

Sipas tij, Kosova meriton të përkrahet për të kaluarën e saj përplot me vuajtje. Ai i fton të gjithë shqiptarët ta mbështetin Përfaqësuesen e Kosovës.

“Me kohë është dëshmuar se ne jemi në rrugën e duhur sepse, po mos të formoheshim ne si tifogrup për ta përkrahur Kosovën tonë, atëherë kujt do t’ia linim këtë vend që është larë me gjak të shumë dëshmorëve. Besoj se duhet të reflektojnë të gjithë e të bëhemi bashkë për shqiptarët, për Kosovë e Shqipëri, për shqiptari. I ftoj edhe një herë tifogrupet e ndryshme të më takojnë, jemi të gatshëm për secilin që vjen në mbështetje të Kosovës tonë”, vazhdoi Berisha, i cili në fund e ka edhe urime për Ditën e Flamurit.

“Uroj 28 Nëntorin e shqiptarëve. Uroj që viti i ardhshëm të sjell suksese për të dyja Kombëtaret. Uroj të përfundohet stadiumi kombëtar ‘Dardania Arena’ dhe e fundit besoj fuqishëm në mbështetjen tuaj që sa më parë të realizohet dëshira e jonë dhe e popullit për bustin e legjendës Fadil Vokrri”, përfundoi kryetifozi kosovar.

Kastrati: Na gëzojnë sukseset e krejt shqiptarëve, mos bëni ndasi dhe përçarje

Tifozeria që njihet si më besnikja e Kombëtares shqiptare janë “Plisat”. Tifozët prishtinas vazhdojnë t’i përkrahin me fanatizëm Kuqezinjtë, por prania e tyre në stadium kur luan Kosova mungon. Sidoqoftë, kryetari i tyre, Albert Kastrati thotë se ky grup tifozësh i gëzohet çdo suksesi të shqiptarëve anembanë botës, që i bie në këtë rast edhe Përfaqësueses së Kosovës.

“Ne na gëzon çdo sukses i shqiptarëve. Na gëzon fakti që shqiptarët kanë talent dhe shpresojmë që edhe niveli i ligës të ngritet e sa më tepër sportistë e klube të përparojnë”, thotë “Tigri” për gazetën.

Por, cili është kushti apo çka duhet bërë që “Plisat” ta përkrahin në stadium edhe Kosovën, siç bëjnë edhe me Shqipërinë!

“Le të punojmë të gjithë së bashku që t’i bashkojmë të gjithë shqiptarët, si në fushë ashtu edhe në tribuna. Ndasitë nuk i konvenojnë askujt”, shton ai me një përgjigje diplomatike.

Nuk është fshehtësi që ëndërr e shqiptarëve është që në të ardhmen të jetë vetëm një Kombëtare, por për momentin realisht janë dy ekipe. Pasi ky është realiteti aktual, a do të ishte mirë që shqiptarët e Shqipërisë, krahas Kombëtares, ta përkrahin edhe Përfaqësuesen e Kosovës dhe ata nga Kosova ta përkrahin edhe Shqipërinë edhe Kosovën?

“Pikërisht ky është problemi që e kemi ne me mediat dhe me analistët e ekspertët si këndej, si andej kufirit. Nuk ka nevojë të shtrohet pyetja në atë formë përçarëse: a je për këtë apo për atë? A ka mundësi që të gjithë shqiptarët t’iu gëzohen sukseseve të të gjithë shqiptarëve e të gjithë së bashku të punojmë për t’i arritur ato? Ndarjet dhe mendësia provinciale është tepër e tejkaluar dhe primitive. Shqiptarët duhet të funksionojnë të bashkuar për të pasur sukses”, mendon Kastrati.

Ai e sheh të udhës dhe të nevojshme që bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë të jetë i përditshëm në krejt sferat, jo vetëm në futboll.

“28 Nëntori është data më e rëndësishme e kombit shqiptar. Shqiptarët që nga viti 1912 kur është shpallur pavarësia janë përballur me padrejtësi e me nevojën dhe dëshirën për bashkim. Ndeshje vëllazërore e futbollit, takim i Qeverive, udhëtime të popullit këndej e andej, apo çka do tjetër që çon ujë drejt bashkimit të shqiptarëve, duhet të bëhet jo vetëm më 28 nëntor por çdo ditë”, përfundoi Kastrati./ZERI

Image
Image