Në “Olimpico” luhet për kualifikim

Sport November 27, 2018 - 08:58
Lexo Detajet

Roma dhe Real Madridi do të luftojnë për ta siguruar kualifikimin në të tetën e finales në derbin e së martës në Ligën e Kampionëve. Klubi italian dhe ai spanjoll nuk janë duke kaluar nëpër një formë të mirë së fundmi me të dyja klubet që vijnë pas humbjeve kampionale në ligat përkatëse. Por, sonte të dyja ekipet do të mundohen t’i harrojnë humbjet e fundjavës për ta prerë biletën e kualifikimit në fazën tjetër, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Real Madridi, do të udhëtojë drejt “Olimpico”-s për t’u ballafaquar me Romën në një përballje direkte për vendin e parë në grupin G dhe gjithashtu për të siguruar kualifikimin në fazën e së tetës së finales së Ligës së Kampionëve. Në sfidën e parë mes tyre në shtator në “Santiago Bernabeu” Real Madridi kishte fituar me rezultatin e thellë 3:0.

Të dyja klubet janë duke kaluar nëpër një formë jo të mirë së fundmi dhe vijnë pas humbjeve të pësuara në fundjavë në ligat përkatëse. Real Madridi u turpërua 3:0 në udhëtim te Eibari, derisa Roma u mposht si mysafire e Udineses me rezultatin minimal 1:0.

Momentalisht të dyja klubet kanë pikë të barabarta në grupin B, derisa me një fitore cilado skuadër do të siguronte kualifikim më tutje.

Daniele De Rossi dhe Konstantinos Manolas do të mungojnë për romakët, derisa madrilenëve do t’u mungojnë Casemiro dhe Keylor Navas.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të këtij grupi CSKA e Moskës do të presë në shtëpi Viktoria Plzenin dhe do të kërkojë fitoren, në mënyrë që të mbesë në garë për të luftuar për një pozitë që dërgon në fazën tjetër.

Të mërkurën sytë kah Parisi

Të mërkurën vëmendja e futbolldashësve do të kthehet kah “Parc des Princes”, ku do të luajnë Paris Saint-Germaini dhe Liverpooli. Klubin anglez dhe atë francez i ndan vetëm një pikë me Liverpoolin, që me një fitore të mundshme do ta siguronte kualifikimin më tutje në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Adam Lallana dhe Alex Oxlade-Chamberlain do të mungojnë për anglezët. Ndërkohë, trajneri i Paris Saint-Germainit Thomas Tuchel ka deklaruar se ka optimizëm për rikthimin e dy yjeve të ekipit, Kylian Mbappe dhe Neymar, për sfidën ndaj Liverpoolit. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit C Napoli do të kërkojë triumfin në shtëpi ndaj Crvena Zvezdas për t’iu afruar kualifikimit në fazën tjetër./ZERI

Image