Derbi 'me bollëk'

Sport November 10, 2018 - 14:28
Lexo tjera detaje

Fundjava do të sjellë derbi “me bollëk” për futbolldashësit. Të shtunën do të luhet klasikja gjermane mes Borussia Dortmundit dhe Bayern Munichut, ndërkohë që të dielën do të luhet derbi i qytetit të Mançesterit mes Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit. Ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe në “San Siro” mes Milanit dhe Juventusit

Të shtunën vëmendja e futbolldashësve do të kthehet kah Bundesliga, ku Borussia Dortmundi do të presë Bayern Munichun në klasiken gjermane. Kjo sfidë e gjen në pozitë më të mirë Dortmundin, që momentalisht kryeson tabelën e ligës gjermane me 24 pikë, katër më shumë sesa Bayern Munichu, që pozicionohet në vendin e tretë. Ekipi i Lucien Favre, që ende nuk ka pësuar humbje në ligë, është duke shkëlqyer në këtë edicion dhe shihet si kandidatja potenciale për të ndaluar ritmin e gjigandit bavarez, që ka dominuar Bundesligën gjatë gjashtë viteve të fundit. Ndërkohë triumfi i fundit i Dortmundit kishte ardhur në vitin 2012.

Abou Diallo do t’i mungojë vendasve në këtë sfidë, ndërkohë te Bayern Munichu pritet të mungojnë Thiago Alcantara, Kinglsey Coman dhe Corentin Tolisso.

Dy klubet janë takuar 112 herë mes vete, me Bayern Munichun që ka triumfuar në 54 ndeshje, Borussia Dormundin që numëron 29 fitore, ndërsa 29 ndeshje janë mbylluar pa fitues. Në përballjen e fundit mes tyre në Bundesligë në edicionin e kaluar, bavarezët kishin triumfuar me rezultatin e thellë 6:0 në “Allianz Arena”.

Në Angli sytë kah Mançesteri

Të dielën do të zhvillohet derbi i xhiros së 12-të të ligës angleze, ku Manchester City do të mirëpresë në shtëpi rivalin lokal, Manchester United. “Djajtë e kuq” janë rikthyer në formë pas një fillimi të dobët të edicionit, ndërsa Manchester City ashtu si edhe edicionin e kaluar është duke shkëlqyer në Premierligë dhe momentalisht e mban kreun e tabelës.

Kevin De Bruyne, Claudio Bravo dhe Eliaquim Mangala nuk do të jenë në dispozicion të Pep Guardiolas të dielën, ndërsa te Manchester Unitedi është në dyshim paraqitja e Romelu Lukakut.

“Djajtë e kuq” kishin fituar në përballjen e fundit në “Etihad” gjatë edicionit të kaluar, duke u rikthyer nga disavantazhi prej dy golave dhe duke triumfuar në fund me rezultatin 3:2.

Milani i “gjymtuar” pret Juven

Milani do të presë Juventusin në derbin e fundjavës në Serie A. Por, kuqezinjtë momentalisht gjenden në pozitë mjaft të vështirë sa i përket lëndimeve. Lucas Biglia, Mattia Caldara, Ivan Strinic do të jenë mungesat e vendasve, ndërkohë që në dyshim janë edhe futbollistë kyç si Gonzalo Higuain, Giacomo Bonaventura, Davide Calabria dhe Mateo Musacchio. Ndërkohë te Juve, do të mungojnë Emre Can dhe Federico Bernardeschi.

Të dyja klubet vijnë pas dy rezultateve jo të favorshme në garat evropiane. Juventusi u mposht 2:1 nga Manchester Unitedi në Ligën e Kampionëve, ndërsa Milani barazoi 1:1 në udhëtim te Real Betisi në Ligën e Evropës. Në edicionin e kaluar, Milani ishte mposhtur 2:0 në “San Siro”, ndërsa fitorja e fundit e kuqezinjve ndaj Juventusit në kampionat daton në tetor të vitit 2016./ZËRI