Punë e vështirë për kampionen

Sport November 10, 2018 - 12:21
Lexo tjera detaje
Image

Kampionia e Kosovës, Drita, do të ketë punë të vështirë këtë fundjavë. Gjilanasit do ta vizitojnë Podujevën, ku i pret Llapi, i cili po e rikthen formën dita-ditës. Drita e ka nisur zbehtë sezonin e ri dhe nuk po arrin assesi të këndellet, por kjo nuk nënkupton se Xhevdet Shabani me shokë nuk do të kërkojnë pikë në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Nga ana tjetër, llapjanët kanë nevojë për t’i rikuperuar pikët e humbura në ndeshjet e kaluara, andaj synojnë t’i mbajnë tri pikë në shtëpi. Ndërkohë, të shtunën zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Lirisë dhe Flamurtarit. Prizrenasit kanë nevojë për pikë më shumë se kurrë, kurse Kuqezinjtë, pavarësisht vështirësive financiare, do të shkojnë në Prizren për të nxjerrë pikë, shkruan Gazeta "Zëri".

E të dielën luhen tri ndeshje tjera. Prishtina do të mundohet ta ruajë primatin me një fitore ndaj Ballkanit, për ta regjistruar fitoren e tetë radhazi. Nga ana tjetër, therandasit do ta kërkojnë ndonjë mrekulli në kryeqytet. Kurse Trepça ’89 shihet si favorite absolute në duel me KEK-un e pafuqishëm, i cili nuk e ka shijuar ende fitoren. Gjilani po ashtu konsiderohet si favorit i lehtë në duel me Drenicën në shtëpi, edhe pse Kuqezinjve nuk u dihet kurrë.

Ndërsa ndeshja e fundit e kësaj xhiroje do të zhvillohet në Drenas, ku Feronikeli do të mundohet ta harrojë humbjen nga Prishtina për ta mposhtur Ferizajn në shtëpi. Nga ana tjetër, ferizajasit do të ishin të kënaqur me një barazim në këtë ndeshje./ZËRI