'Hat-Trick' i Kosovës

Sport November 10, 2018 - 10:43
Lexo tjera detaje
Image

Xhudoja kosovare e ka shënuar edhe një “hat-trick”. Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova kanë shkëlqyer të premten në evenimentin prestigjioz të xhudos, Grand Prix të Uzbekistanit, duke ia sjell Kosovës tri medalje. Dy të parat e fituan të artën, ndërsa e treta të argjendtën. Trajneri Driton Kuka ndihet mirë për suksesin e vazhdueshëm të garueseve të tij, e mbi të gjitha që këto medalje u fituan në një vend që s’e njeh Kosovën si shtet siç është Uzbekistani, shkruan sot Gazeta "Zeri".

Xhudoja vazhdon ta bëjë krenare Kosovën. Ky sport luftarak është bërë sinonim i suksesit të vendit tonë. Xhudistët kosovarë e kanë shënuar të premten një “hat-trick”. Tri xhudistët më të mira të vendit, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova kanë fituar medalje në Grand Prix të Uzbekistanit.

Majlinda i kthehet të artës

Majlinda Kelmendi i është kthyer medaljes së artë, asaj që i fle më së miri në zemër dhe që i rri më së miri. Kampionia olimpike ishte kthyer së fundmi pas një lëndimi të gjatë duke e fituar të argjendtën në “Abu Dhabi Grand Prix” pasi e kishte lënduar hundën në çerekfinale. Por, sportistja më e suksesshme kosovare e fitoi medaljen e artë dje në kompeticionin që po mbahet në kryeqytetin uzbek, Tashkent, në kategorinë 52 kilogramë.

Xhiron e parë, Majlinda e ka kaluar pa luftë, ndërsa në atë të dytë ishte më e mirë se norvegjezja Madelene Rubinstein. E në të tretën, Kelmendi e mposhti hungarezen Reka Pupp për të shkuar në gjysmëfinale. Aty ia doli ta mund spanjollen Ana Box Perez, kurse në finale ngadhënjeu përballë zviceranes Evelyne Tschopp.

Edhe Distria e artë

Distria Krasniqi e ka fituar po ashtu medaljen e artë në Uzbekistan. Xhudistja pejane e kaloi po ashtu rrethin e parë pa luftë, ndërsa në të dytin e mundi izraeliten Tamar Malca. Më tutje, “Disi” e mposhti edhe gjermanen Katharina Menz. Krasniqi nuk pati problem as në gjysmëfinale, ku ishte më e mirë se holandezja Amber Gersjes, ndërsa në finale dominoi ndaj hungarezes Eva Csernoviczki për ta fituar të artën me plot meritë në kategorinë 48 kilogramë.

Nora “vishet” me argjend

Nora Gjakova është garuesja e tretë kosovare që ka fituar medalje të premten në Grand Prix. Xhudistja pejane e ka fituar medaljen e argjendtë në kategorinë 57 kilogramë. Njëjtë si dy shoqet e saj të skuadrës, Nora shkoi në rrethin e dytë pa luftë, e aty e eliminoi venezuelasen Wisneybi Machado. Më tej, Nora ishte më e mirë se polakja Julia Kowalczyk dhe u kualifikua në gjysmëfinale. Gjakova kaloi në finale duke e mundur sllovenen Kaja Kajzer, kurse në luftën vendimtare u dorëzua përballë gjermanes, Theresa Stoll, e cila fitoi me “Ippon”. Sidoqoftë, medalje e argjendtë është sukses i jashtëzakonshëm i Norës, e cila e kompletoi suksesin e Kosovës në Uzbekistan.

Loriana garon të shtunën

Loriana Kuka, kampione e freskët e Evropës U-23 do të garojë sot në Grand Prix të Uzbekistanit. Xhudistja pejane, e cila dy vjet më parë erdhi për të jetuar në Kosovë nga Zvicra, të shtunën do të ketë punë në rrethin e dytë me kaçaken Zarina Raifova. Shpresojmë që edhe Loriana të stoliset me medalje në këtë kompeticion prestigjioz, i cili mbahet për herë të gjashtë në histori të tij, ndërsa është Grand Prixi i parafundit në vitin 2018.

Kuka: Një shtetit që s’na njeh ia treguam vlerat tona

Trajneri Driton Kuka ndihet i lumtur dhe krenar me garueset e tij, të cilat ia zbardhën fytyrën edhe një herë të premten. Mbi të gjitha, trajneri i suksesshëm pejan ndihet i lumtur për faktin se suksesi u arrit në një shtet që nuk e njeh shtetin e Kosovës, si është në këtë rast Uzbekistani.

“’Uzbekistan Grand Prix’. Tri finaliste – dy të arta për Kosovën dhe një e argjendtë. Distria e artë, 48 kg, 700 pikë olimpike. Majlinda e artë në 52 kg, 700 pikë dhe Nora e argjendtë, 57 kg, 490 pikë olimpike. Kryeqyteti i një shteti që ende s’e njeh Kosovën goxha mirë u njoftua me vlerat tona sot. ‘Tokyo2020’”, ka shkruar Kuka në rrjetin social, “Facebook”.