Statistikat e frikshme të Kosovës me Challandesin para ndeshjes me Ishujt Faroe

Sport October 13, 2018 - 15:58
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Të dielën në stadiumin “Torsvollur”, Kosova do të kërkojë fitoren e gjashtë në krye me trajnerin, Bernard Challandes.

“Dardanët” përballen me Ishujt Faroe në kuadër të Grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Kjo do të jetë ndeshja e 7-të e Kosovës në krye me trajnerin 67-vjeçar zviceran.

6 ndeshje pa humbje – kjo ecuri mbresëlënëse me Challandesin nisi me 24 mars, ku Kosova fitoi 1-0 kundër Madagascarit.

Tri ditë më pas, “Dardanët” regjistruan fitoren e dytë me radhë me trajnerin zviceran, duke e mposhtur 2-0 Burkina Fason.

Ecuria mbresëlënëse e Kosovës vazhdoi edhe në maj, në miqësoren e vetme të zhvilluar kundër Shqipërisë.

“Dardanët” u treguar të fortë për “Kuqezinjtë”, duke e detyruar Etrit Berishën ta nxjerrë tre herë topin nga porta, për fitoren 3-0.

Pas testeve miqësore, ishte koha për ndeshje zyrtare, e para për Challandesin në stolin e Kombëtares sonë.

67-vjeçari e nisi pa humbje edhe në ndeshje zyrtare, pasi Kosova mori një pikë në udhëtim te Azerbajxhani në ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve me 7 shtator.

Tri ditë më pas, me 10 shtator, Kosova e arrit fitoren e parë dhe historike, duke i mposhtur 2-0 Ishujt Faroe në ndeshjen e parë në shtëpi në stadiumin e sapo rinovuar, “Fadil Vokrri”.

Ecuria pozitive vazhdoi edhe në tetor, kur Kosova sërish në shtëpi mori fitore, duke e mposhtur 3-1 Maltën.

Kjo ishte ndeshja e 6-të me Challandesin që Kosova nuk di për humbje, 5 fitore dhe një barazim – rekord që do të tentojnë ta ruajnë edhe pas ndeshjes së nesërme, kur Kosova të zbresë në stadiumin “Torsvollur” për t’u përballur me Ishujt Faroe.

6 ndeshje – 5 fitore, 1 barazim, 11 gola të shënuar dhe vetëm 1 i pranuar – Kosova ka ndryshuar shumë me Challandesin, i cili po ndërton skuadër të fuqishme për të ardhmen. /Insporti.com/Image