Sfidë e madhe për Shqipërinë

Sport October 13, 2018 - 12:09
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Shqipëria do të kërkojë ta harrojë barazimin në miqësoren ndaj Jordanisë dhe do të mundohet të arkëtojë pikët e plota në udhëtim te Izraeli të dielën, në kuadër të Ligës së Kombeve, në mënyrë që të mbetet ende në garë për vendin e parë të grupit 1 të Ligës C. Kuqezinjtë kanë kaluar nëpër një formë të luhatshme së fundmi, ndërsa nga dy xhirot e para të Ligës së Kombeve kanë shënuar një fitore, atë ndaj Izraelit në shtëpi 1:0, ndërkohë që është mposhtur 2:0 në udhëtim te Skocia. Në sfidën e fundit në miqësoren ndaj Jordanisë të mërkurën të drejtuarit e Christian Panuccit shfaqën një lojë mjaft të mirë, por ekipit Kuqezi i mungoi efikasiteti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në këtë grup të tria kombëtaret kanë grumbulluar nga tri pikë pas dy xhirove dhe lufta për pozitën e parë pritet të jetë shumë e ashpër. Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria udhëton drejt Izraelit, pasi që kishte luajtur ndaj kësaj përfaqësueseje edhe në kualifikimet për botërorin “Rusia 2018” dhe madje kishte triumfuar me rezultatin e thellë 3:0.

Mavraj e Grezda kërkojnë fitoren

Kapiteni i Shqipërisë Mërgim Mavraj dhe sulmuesi Eros Grezda kërkojnë arkëtimin e tri pikëve ndaj Izraelit. “Kemi fituar me Izraelin këtu, kemi fituar në Izrael përpara disa vitesh dhe e dimë çfarë na pret e çfarë duhet të bëjmë për t’u marrë pikë. Jemi shumë optimistë dhe shumë pozitivë. Nuk kemi asnjë arsye për të qenë me mendime të këqija për të dielën”, është shprehur Mërgim Mavraj, shkruan më tutje "Zëri". 

Ndërkohë Grezda, i cili ishte futbollisti më i mirë i Shqipërisë në ndeshjen ndaj Jordanisë, pavarësisht se luajti vetëm në dyzetepesë minutat e para, thotë se ekipi duhet të japë gjithmonë maksimumin, derisa kërkoi fitoren në Izrael. “Ne flasim shpesh me trajnerin dhe e dimë se duhet të japim maksimumin për kombëtaren. Shpresoj dhe besoj se që nga ndeshja me Izraelin kushdo që do të luajë do të japë maksimumin për të arritur fitoren”, deklaroi gjakovari.

Veseli e Ramadani largohen të dëmtuar, grumbullohen Balliu dhe Lilaj

Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani janë detyruar të lëshojnë kampin e kombëtares shqiptare të premten, ndërsa me emergjencë janë grumbulluar Ivan Balliu dhe Sabien Lilaj. Në një njoftim për shtyp Federata Shqiptare e Futbollit ka sqaruar se lojtarët që lanë grumbullimin kanë pasur probleme fizike.

“Për shkak të probleme fizike dhe konkretisht të tërheqjeve muskulore të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë futbollistët e ekipit kombëtar, Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani, janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar për të vijuar me fazën riaftësuese. Trajneri i skuadrës përfaqësuese Christian Panucci ndërkohë ka kryer menjëherë zëvendësimet e duhura. Kështu brenda ditës së sotme skuadrës do t’i bashkohen mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj, të cilët do të jenë në dispozicion të skuadrës kombëtare në vigjilje të ndeshjes zyrtare të datës 14 tetor, ora 20:45, në Izrael”, thuhet në njoftimin e FSHF-së. /ZERI

E diel

Liga e Kombeve

20:45 Izraeli – Shqipëria