Mrekullia 'Dardane'

Sport October 13, 2018 - 11:30
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Me fitoren prej 3:1 kundër Maltës Kosova e ka kompletuar një vit të mrekullueshëm. “Dardanët” kanë arritur t’i kalojnë rrafsh 12 muaj pa e pësuar asnjë humbje. Humbjet dëshpëruese të pësuara në kampanjën kualifikuese të botërorit “Rusia 2018” tashmë i takojnë së kaluarës. Kurse fitoret i përkasin së tashmes dhe i japin shpresë së ardhmes. Në shtatë ndeshjet e fundit ekipi Verdhekaltër i ka shënuar gjashtë fitore dhe një barazim. Kështu Kosova tani po vlerësohet si kandidatja kryesore për ta fituar Grupin 3 të Ligës D të Kombeve. Njëherësh po shihet si një kandidate e mundshme për ta fituar krejt Ligën D, fituesja e së cilës shkon direkt në Evropianin 2020, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Më 9 tetor të vitit 2017 përfaqësuesja e Kosovës e ka pësuar humbjen e fundit. Atë ia kishte shkaktuar Islanda. Njëherësh ajo ishte humbja e nëntë e Kosovës në kualifikimet e botërorit “Rusia 2018 krahas një barazimi të vetëm. Mirëpo me përfundimin e asaj kampanje kualifikuese ka mbaruar edhe seria e rezultateve të zeza. Nga atëherë Kosova nuk ka humbur më.

Brenda fiks një viti kalendarik ekipi ynë përfaqësues i ka zhvilluar shtatë ndeshje, duke arritur bilanc shumë pozitiv – gjashtë fitore dhe vetëm një barazim. Këtë seri të mrekullueshme Kosova e kishte nisur në nëntor të vitit të kaluar, kur në Mitrovicë kishte fituar në miqësore 4:3 ndaj Letonisë.

Në atë takim ekipin e kishte udhëhequr Muharrem Sahiti, zëvendësi i Albert Bunjakit, me të cilin Federata e Futbollit e Kosovës e kishte shkëputur kontratën. Ish-kryetari tashmë i ndjerë, Fadil Vokrri, e kishte gjetur në Zvicër një tjetër trajner – Bernard Challandes. Zvicerani po e vazhdon rrugën e fitoreve të nisur nga Sahiti.

Para se të fillonin garat e Ligës së Kombeve Challandes ishte sprovuar si përzgjedhës i Kosovës në tri ndeshje miqësore, duke shënuar sukses për çdo respekt, shkruan më tutje "Zëri". 

E mposhti Madagaskarin 1:0, pastaj Burkina Fason 2:0 dhe në fund Shqipërinë 3:0. Këto rezultate ia kthyen Kosovës moralin e humbur në kampanjën kualifikuese, ku i kishte pësuar nëntë humbje nga Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia e Finlanda. Madje kjo ndodhi në kohën më të nevojshme.

Pak para fillimit të Ligës së Kombeve. Si një skuadër e vogël Kosova startoi në ligën e ekipeve të kategorisë së fundit evropiane. Në Ligën D, ku garojnë 16 ekipe të ndara në katër grupe, Kosova është pjesë e Grupit 3 bashkë me Azerbajxhanin, Ishujt Faro dhe Maltën. E filloi mirë me një barazim pa gola në Azerbajxhan. Pastaj e mori kryesimin e grupit me fitoren e madhe të shënuar në Prishtinë ndaj Ishujve Faro, 2:0. Ndërsa së fundmi e mposhti Maltën, 3:1.

Një jetë plotë fatbardhësi për Kosovën, me vetëm një njollë. E ajo është një gol i pësuar. Goli i pësuar nga Malta ishte i pari ndaj Kosovës në tri ndeshjet e para të Ligës së Kombeve. Ishte i pari i pësuar pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, në të cilat Kosova në total i kishte realizuar tetë gola pa e pësuar asnjë. Fantastike.

Dhe, këtë fantazi Kosova synon ta vazhdojë edhe në Ishujt Faro, të cilën do ta sfidojë të dielën në kuadër të xhiros së katërt të fazës së grupeve. Kosova synon fitore. Gjithsej i ka edhe tri ndeshje për t’i luajtur.

Edhe 9 pikë në dispozicion. Aktualisht i ka 7 sosh, me të cilat kryeson në grup. Ndiqet nga Azerbajxhani me 5 pikë. Ishujt Faro i kanë 3, dy më shumë se Malta. Krejt kjo e pasqyron një Kosovë favorite për ta fituar grupin, fituesi i të cilit luan me fituesit e tri grupeve të tjera të Ligës D në “Play-Off”. Dhe, fituesi i Ligës D shkon direkt në Evropian. Kosova jonë është një kandidate. Realizimi i ëndrrës mund të ndodhë më herët sesa që është pritur. /ZERI