Këto janë katër ndeshjet e Superligës që luhen sot!

Sport October 03, 2018 - 14:42

Orari i stërngjeshur vazhdon në Superligën e Kosovës në futboll me ndeshjet e mesjavës në kuadër të xhiros së tetë, e cila filloi dje me duelin ndërmjet Ferizajt dhe Drenicës, shkruan sot gazeta Zëri.

Feronikelin dhe Prishtinën i pret punë mjaft e vështirë sot.

Lideri i Superligës do të jetë mysafir i Llapit, në kërkim të pikëve të radhës për ta mbajtur primatin.

Mirëpo skuadra nga Drenasi nuk do ta ketë aspak të lehtë të marrë pikë në stadiumin “Zahir Pajaziti” pasi Llapi në shtëpi është mjaft i fuqishëm.

Pra, pa dyshim se kjo do të jetë ndeshja kryesore e kësaj xhiroje.

Ndërkohë punë e vështirë e pret edhe Prishtinën, e cila do ta vizitojë Prizrenin.

Bardhekaltrit vijnë nga barazimi në shtëpi në duel me Flamurtarin dhe kanë nevojë për pikë të plota.

Sidoqoftë, ata do të kenë punë me Lirinë, së cilës i duhen pikët sikur buka pas fillimit të dobët të sezonit të ri.

Prizrenasit kanë bërë ndryshime në shtab teknik dhe duan ta nisin këndelljen nga kjo e mërkurë.

Kampionia Drita, nga ana e saj, pas humbjes në derbin e Anamoravës nga rivali lokal, Gjilani, do ta kërkojë sot këndelljen në duel me Trepçën ’89 në shtëpi.

Mirëpo, “Xehetarët” pritet të jenë “arrë e fortë” për Bardhekaltrit pasi ata shkojnë në Gjilan për të nxjerrë pikë.

Në duelin e fundit të sotëm, KEK-u i pafuqishëm i kërkon pikët e para sezonale kundër Ballkanit.

Sidoqoftë, therandasit konsiderohen si favoritë në këtë përballje.

E mrekullia e këtij sezoni, Flamurtari, do ta mbyllë këtë xhiro me ndeshjen kundër skuadrës në superformë, Gjilani.

Ndërkaq xhiroja e nëntë e Superligës do të luhet në fundjavë e më pas futbolli kosovar do të ketë pushim, pasi do të zhvillohen ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku Kosova këtë muaj do të ketë punë me Maltën dhe me Ishujt Faro. /Zëri/

Superliga – Java e 8-të

E mërkurë

Drita – Trepça ’89

Liria – Prishtina

Llapi – Feronikeli

KEK-u – Ballkani

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:30