Ibrahimovic rikthehet te Milani?!

Sport October 03, 2018 - 12:53
Detajet

Në ditëlindjen e 37-të të gjigantit suedez, Zlatan Ibrahimovic “Corriere della Sera” jep lajmin se ai mund të rikthehet te kuqezinjtë e Milanit, për të ndihmuar skuadrën të renditet në një nga katër vendet e para në fund të këtij sezoni, duke i siguruar një biletë për Ligën e Kampionëve.

Edhe pse duhen edhe tre muaj që të hapet merkatoja e janarit, në shtëpinë kuqezi po zien gjithnjë e më shumë ideja për rikthimin në “San Siro” të Zlatanit, me të cilin në organikë Milani ka fituar për herë të fundit titullin në Serinë A në vitin 2011.

Ideja për të tentuar Ibran mësohet se ka lindur nga kërkesa e trajnerit Gattuso për një tjetër sulmues “pykë”, i cili do të ishte një mbështetje e madhe për Gonzalo Higuainin dhe Patrick Cutronen.

Qëllimi është për të shkuar sa më larg të jetë e mundur në Europa League, trofe, që nëse do të fitohet, siguron pjesëmarrjen në Champions.

Marrëveshja mes Ibrahimovicit dhe Los Angeles Galaxy përfundon në vitin 2019, por nuk përjashtohet mundësia që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për një lamtumirë më të shpejtë. Ideja e Milanit është të nënshkruajë me gjigantin suedez kontratë 6-mujore.