Shearer sulmon Pogban: Kampionëve të United do t’u pastronte këpucët

Sport October 02, 2018 - 16:09
Detajet

Te Manchester United situata mes Paul Pogbas e Jose Mourinhos vazhdon të rëndohet çdo ditë e më shumë.

Një sagë e vërtetë. Kohët e fundit portugezi konfirmoi se 25-vjeçari nuk do ta mbajë më shiritin e kapitenit. Pogba i cili nuk ngurron të sulmojë trajnerin e tij, duke thënë se ekipi luan shumë në mbrojtje, transmeton SS.

Një nga legjendat e futbollit anglez, Alan Shearer, ka ndërhyrë në këtë çështje, duke dalë në krah të Mourinhos, për të sulmuar ashpër jo vetëm Pogban, por dhe shumicën e lojtarëve te Manchester United.

“Te ky Manchester United sjellja e lojtarëve është e papranueshme. Si mund të mos luajnë për Mourinho!? Madje shohim pamje të stërvitjeve, ku futbollistët qeshin e bëjnë shaka, ndërkohë që ekipi humb. Kur luaja unë, klubet kishin fjalën e fundit, njësoj si tranjeri, ndërkohë sot ajo i takon lojtarëve”.

Sigurisht, përgjegjësi kryesor për këtë situate, sipas Shearer, është pikërisht Pogba. Për ish-sulmuesin e Newcastle, kampioni i Botës nuk është gjë tjetër veçse një fëmijë i papjekur:

“Transferimi i tij është më i shtrenjti në historinë e United, e kur mendohem për lojtarët e mëdhenj të cilët kanë veshur këtë fanellë mund të them me plot gojë se francezi as nuk do kishte mundësi t’u pastronte këpucët kampionëve të cilët kanë luajtur në Old Trafford”.

Për momentin, “Djajtë e Kuq” gjenden në vendin e 10-të në kampionatin anglez, ndërkohë që në dy ndeshjet e fundit kanë marrë një barazim e një humbje. Gjithashtu, ekipi nga Manchester u eliminua nga Kupa e Ligës kundër Derby Countyt, pas goditjeve të 11-metërshave.