Drenica i kthehet fitores pas katër ndeshjeve, mposht KEK-un në udhëtim

Drenica i kthehet fitores pas katër ndeshjeve, mposht KEK-un në udhëtim

Sport shtator 22, 2018 - 17:53
Lexo detajet

Klubi nga Skenderaj, Drenica ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te KEK-u me rezultat 4-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të IPKO Superligës së Kosovës.

Pas katër ndeshjeve, ku pati një humbje dhe tri barazime, Drenica i është kthyer fitores, duke marrë tri pikë të rëndësishme në udhëtimin e tyre në Obiliq.

Pjesa e parë e takimit foli e gjitha në të mirë të drenicasve, të cilët përkundër rasteve, arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 12-të të ndeshjes dhe realizues ishte Armend Abazi, i cili shënoi për 0-1, ndërsa në minutat shtesë të kësaj pjese ishte Vigan Rexhaj që shënoi me kokë për 0-2.

Pjesa e dytë nisi më mirë për mysafirët, të cilët arritën të gjejnë golin e ngushtimit të epërsisë 1-2 me anë të Ardit Gashit (57′).

Në vazhdim të kësaj pjese, Drenica arriti ta rikthej lojën në favor dhe shënoi në minutën e 76-të nga penalltia me anë të Taulant Dajakut, i cili shënoi për 1-3, ndërsa Kreshnik Uka (88′) për 1-4.

Në fund të ndeshjes, KEK-u ngushtoi epërsinë me anë Shpëtim Preniqi, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 2-4.

Pas kësaj fitore, drenicasit kanë nëntë pikë në pozitën e pestë, ndërsa ‘Elektricistët’ mbeti në vendin e fundit pa asnjë pikë.

Në ndeshjen e radhës, Drenica e pret në shtëpi Ballkanin, ndërsa KEK-u udhëton te Llapi. /Telegrafi/