Kosova do medalje në Botëror

Kosova do medalje në Botëror

Sport shtator 20, 2018 - 10:30
Image

Kosova synon të jetë e suksesshme në Kampionatin Botëror të Xhudos, i cili fillon sot dhe mbyllet më 27 shtator. Trajneri Driton Kuka beson se garuesit e tij kanë gjasa reale për medalje në evenimentin që do të mbahet në Azerbajxhan. Pavarësisht mungesës së Majlinda Kelmendit, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova e Distria Krasniqi janë të gatshëm për të shkëlqyer në Baku. Kjo e fundit do të garojë sot

Kosova do t’i hyjë Kampionatit Botëror të Xhudos me ambicie të mëdha. Edhe pse për shkaqe shëndetësore mungon Majlinda Kelmendi, katër garuesit e tjerë: Nora Gjakova (57 kg), Distria Krasniqi (48 kg), Loriana Kuka (78 kg) dhe Akil Gjakova (73 kg) janë kandidatë potencialë për të fituar medalje në evenimentin më të rëndësishëm botëror të xhudos, i cili do të mbahet nga 20 deri më 27 shtator në Baku të Azerbajxhanit.

Garuesit janë përgatitur mjaft mirë nën urdhrat e trajnerit të suksesshëm Driton Kuka, prandaj janë gati për sfidat e rëndësishme dhe të vështira që i presin këto ditë. “Përgatitjet sivjet kanë shkuar mirë. Flasin edhe sukseset në gara të tjera deri tash. Po mendoj që jemi gati për Botëror”, ka thënë fillimisht trajneri Kuka për “Zërin”.

Kosova e do medaljen e dytë botërore

Deri tash vetëm Majlinda Kelmendi ka fituar medalje në Kampionat Botëror. Dhe, në mungesë të saj garuesit e tjerë do ta kërkojnë mrekullinë për t’ia sjellë Kosovës një tjetër medalje botërore. “Kemi gjasa reale për medalje, por konkurrenca është e tmerrshme në çdo kategori. Punën e kemi kryer në çdo detaj dhe u mbetet garuesve t’i kryejnë detyrat. Medalja do të ishte mrekulli, një sukses i jashtëzakonshëm. Deri tash vetëm Majlinda ka medalje nga Botërori për të rritur”, shpjegon trajneri pejan. Distria dhe Nora deri tash e kanë plasman vendin e shtatë në Botërorin për seniore.

Mësojnë kundërshtarët, short i vështirë

Eksperienca e Kosovës në Botëror do të nisë me Distria Krasniqin. Xhudistja pejane do të garojë në kategorinë 48 kilogramë dhe në rrethin e parë do të ketë punë me xhudisten nga Guatemala, Jacqueline Solis. Nëse fiton këtë garë në rrethin e dytë do të përballet me ukrainasen Daria Bilodid, e cila rrethin e parë e kaloi pa luftë.

Kurse të shtunën (22 shtator) do të garojnë vëlla e motër. Nora Gjakova në kategorinë 57 kilogramë e ka kaluar rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë e pret fituesen e duelit në mes të marokenes Soumiya Iraoui dhe garueses nga Bregu i Fildishtë, Abzetta Zouleiha Dabonne. Kurse vëllai i saj Akili po ashtu e kaloi rrethin e parë pa luftë dhe në atë të dytë do të ballafaqohet me garuesin nga Kepi i Gjelbër Magner Mendes, që po ashtu kaloi më tutje pa luftë.

Pjesëmarrjen e Kosovës në Botëror do ta mbyllë Loriana Kuka, e cila do të garojë më 25 shtator në kategorinë 78 kilogramë.

Edhe xhudistja pejane e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë do të përballet me sllovenen Klara Apotekar, që gjithashtu kaloi në rrethin e dytë.

Luftohet edhe për pikë olimpike

Botërori i Bakusë do të ketë domethënie të dyfishtë për garuesit kosovarë.

Krahas peshës së medaljes, një sukses eventual do t’u sillte atyre edhe pikë për olimpike.

“Normalisht edhe pikët janë me rëndësi nga kjo garë, edhe pse për normë olimpike po besoj se do të kemi gara mjaft edhe në atë drejtim”, nënvizoi Kuka.

Nuk rrezikoi me Majlindën

Shpresa më e madhe e Kosovës për të fituar medalje në Botëror ishte Majlinda Kelmendi.

Mirëpo medalistja olimpike nuk është ende 100 për qind gati, pasi është duke u rikuperuar, prandaj trajneri i saj vendosi të mos rrezikojë dhe ta lërë atë jashtë këtij kompeticioni, pasi më shumë është i fokusuar tek Olimpiada e Tokyos, që do të mbahet pas më pak se dy vjetësh.

“Majlinda me sugjerim timin fillon pas Botërorit. Lëndimet i kanë shkaktuar goxha telashe. Për Majlindën, por edhe për krejt ne, është me rëndësi Olimpiada në Tokio”, shtoi Kuka. Pa dyshim xhudoja është sporti më i suksesshëm në Kosovën e pasluftës. /Zëri/