Mendjemëdhenj dhe të mbivlerësuar! Asgjë më shumë

Sport September 16, 2018 - 14:03

“Marre, marre…”! Këso thirrje u janë adresuar futbollistëve dhe trajnerit Mirel Josa nga shikuesit e pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, ku FC Prishtina zhgënjeu skajshmërish në duel me Ferizajn, me të cilin të shtunën mbrëma luajti baras, 0:0. Ky ishte barazimi i dytë rresht i bardhekaltërve pas atij të regjistruar në Suharekë përballë Ballkanit (1:1), shkruan "Zëri".

Barazimi pa gola me Ferizajn e një niveli shumë më të ulët – por që u tregua shumë më e pjekur në arritjen e qëllimit - nuk ishte zhgënjyes i madh për tifozët sa ishte loja shumë e lodhtë e futbollistëve prishtinas, të cilët nuk po i arsyetojnë kushtet shumë të mira financiare që ua ka ofruar klubi, por edhe kushtet tjera profesionale.

"Zëri" shkruan se lojtarë dhe trajnerë nuk treguan asgjë. Nuk treguan cilësi, nuk treguan lojë të mirë dhe nuk treguan kandidaturë serioze për titullin e kampionit. Ata nuk treguan forcë, por shfaqën plogështi. Krejt çka ri-konfirmuan bardhekaltrit ishte një mendjemadhësi. Ata vet treguan se janë të mbivlerësuar sidomos nga një kryesi milionere çfarë e ka FC Prishtina. Bash, asgjë tjetër!

Në vend se të kontribuojnë në kthimin e shikueshmërisë në stadiumin më të bukur të Kosovës, iniciativë kjo e marrë nga vetë qytetarët, ekipi bardh e kaltër vetëm çka po i tremb ata duke i zhgënjyer ndeshje pas ndeshje, si në rastet e humbjes së lojës vendimtare për titull në xhiron e fundit të sezonit të shkuar nga Drita, pastaj në rastin e eliminimit të hershëm nga garat evropiane, humbjes në ndeshjen e Superkupës nga Drita midis kryeqytetit në praninë e dhjetë mijë shikuesve, në rastin e një paraqitjeje të pasigurt po në Prishtinë kur e fitoi minimalisht Drenicën (1:0), apo së fundmi duke dështuar përballë Ferizajt.

Derisa FC Prishtina humb pikë të vlefshme në ndeshje që nuk guxon t’i lëshojë pa i fituar dhe nuk arrin të aplikojë lojë të mirë dhe të sigurt, rivalët e saj për titull si Feronikeli, Llapi, apo edhe Trepça ’89 e Flamurtari, dita-ditës po rriten dhe po bëhen më të fortë. Kurse, bardhekaltrit e vendosin veten, pa pikë nevoje, në kriza që mund t’u kushtojnë./Zëri/