Rama mbron Behramin

Sport August 11, 2018 - 13:42
Lajmet e fundit nga sporti

Milaim Rama ka mbetur i befasuar me mënyrën se si i është kumtuar lajmi Valon Behramit për largim nga kombëtarja e Zvicrës. Ish-futbollisti i njohur kosovar, i cili po ashtu për një kohë e kishte përfaqësuar ekipin helvetik, thotë se mitrovicasi ka merituar më shumë respekt dhe se largimi i tij përmes telefonit ka qenë jo i drejtë dhe jokorrekt, shkruan Gazeta "Zëri".

Sipas tij, kontributi që e ka dhënë Behrami për Zvicrën ishte i jashtëzakonshëm dhe është dashur që ai të përshëndetet në mënyrë më madhështore. “Meritat për çdo futbollist që japin kontribut në brendësi të ekipit duhet të respektohen. Mënyra se si i është kumtuar Behramit largimi nga reprezentacioni nuk ka qenë i drejtë, nuk ka qenë korrekt. Pas gjithë atyre lojërave, pas kontributit dhe për faktin se ka qenë lojtari kyç mendoj se ka merituar më shumë”, ka thënë Rama për “Zërin”.

Sipas tij, zviceranët në përgjithësi janë mirënjohës, por shton se disa gjëra ndodhin papritur dhe shprehet se kjo nuk është dashur t’i ndodhë Federatës së Zvicrës. “I ndodhi Valonit dhe për ne shqiptarët është diçka jo e mirë. Gjithashtu, një pjesë e madhe e zviceranëve nuk e kanë pritur mirë këtë vendim. Nuk është pritur, edhe pse Zvicra po shihet se po mendon ta bëjë një konsolidim të ekipit. Madje, këtu po e kërkojnë edhe largimin e trajnerit”, shton ai.

Ndërkaq, kur flet për veten, 42-vjeçari thotë se ishte ndarë mirë me zviceranët, pasi kishte luajtur shkurt për Zvicrën dhe nuk priste ndonjë përshëndetje speciale. “Unë kam qenë pjesë e Zvicrës në vitet 2003-2004, ndërsa më kanë ftuar edhe në vitin 2005, ku megjithatë nuk jam aktivizuar. Në atë kohë u bënë ndryshime dhe unë, jo që isha në moshë, por ashtu e panë trajnerët dhe më nuk më ftuan. Sidoqoftë, jam absolutisht krenar që kam luajtur për Zvicrën që si shqiptar kam mundur të jap diçka nga vetja dhe të kontribuoj. I kam bërë të gjithë shqiptarët krenarë dhe kam pasur mbështetje të jashtëzakonshme. Pas meje u afruan edhe futbollistët tjerë shqiptarë”, vazhdoi Rama, i cili ka mbetur në histori si futbollisti i parë shqiptar që ka luajtur për Zvicrën.

 

E gëzuan shqiponjat në Botëror

 

Rama thotë se nuk e ka përcjellë krejt Botërorin, por ndeshjet e Zvicrës nuk i ka lëshuar. Ai është ndier krenar me shqiptarët që e përfaqësuan këtë vend në Rusi, por e pranon se priste që Zvicra të shkonte më larg pasi kjo gjeneratë e artë e kishte “trenin e fundit”.

“Unë e kam përcjell Botërorin, por jo krejt. Na gëzoi fakti që Zvicra u kualifikua në të tetën e finales, na gëzuan edhe ato shqiponja që fluturuan në Rusi kur e mundën Serbinë. Por, më duhet të them se pritëm më shumë. Ta them të drejtën kam pritur që Zvicra ta kalojë Suedinë dhe të shkojë ndoshta deri në gjysmëfinale. Ka qenë rasti që Zvicra të shkojë më larg, por e ndali Suedia”, përfundoi Rama./ZËRI