Me orë elektronike në lojë

Sport August 11, 2018 - 10:22
Lajmet e fundit nga sporti

Paul McGowan është paraqitur me një orë elektronike të vendosur nën çorapet e tij sportive në ndeshjen e fundit të Dundee FC në kampionatin skocez. 31-vjeçari është dënuar me dy muaj punë sociale të detyrueshme dhe është obliguar ta mbajë me vete gjithmonë objektin në fjalë, qoftë edhe në ndeshje futbolli. Në tetë vjetët e fundit mesfushori problematik mori plot pesë dënime penale

Kampionati në Skoci sapo ka filluar dhe protagonist i xhiros së parë ishte pa dyshim Paul McGowan.

Mesfushori i Dundee FC e ka zgjuar interesimin dhe vëmendjen e të gjithave, jo për shkak të paraqitjes së tij në humbjen 2:1 ndaj St. Mirren, por për faktin se e mbante një objekt, në formë ore, nën çorapet sportive teksa luante futboll, përmes së cilës policia e di vendndodhjen e tij dhe e ka nën kontroll non-stop.

Objekti elektronik

31-vjeçari është dënuar që të bëjë dy muaj punë sociale të detyrueshme dhe i duhet ta veshë një objekt elektronik për dy muaj. Paul e kishte pështyrë në fytyrë një person pasi kishte dalë nga një klub nate në Dundee dhe për këtë është dënuar. Nga ora 19:00 deri në 07:00 ai nuk mund të dalë nga shtëpia. Gjithashtu, përkohësisht derisa ta vuajë dënimin nuk mund të luajë në angazhimet e mbrëmjes me skuadrën e tij.

Dënimi

McGowan e ka pranuar se e kishte pështyrë një person gjatë një feste të organizuar nga shoqëria e tij. Futbollisti ka rrezikuar shumë, pasi ka mundur të përfundonte në burg duke e pasur parasysh të kaluarën e tij jo fort të pastër. Në tetë vjetët e fundit ai kishte plot pesë dënime penale.

 

I ndalohen ndeshjet e natës

Gjykata nuk ka vendosur ta vendosë prapa grilave, por e ka obliguar me dy muaj të detyrueshëm të shërbimeve sociale. Ndër të tjera, futbollisti është detyruar ta mbathë një etiketë në formë ore elektronike nën çorapet e tij sportive. Pasi i është ndaluar të dalë nga shtëpia në mbrëmje, në rast se Dundee FC luan në mbrëmje në kampionatin skocez ai do të jetë i detyruar ta shikojë lojën përmes televizorit.

Dënimet e mëhershme

McGowan nuk është aspak tip i qetë. Mjafton të mendosh që në vitin 2014 ishte dënuar me 130 orë punë të detyrueshme pasi i kishte sulmuar dy agjentë në qendrën e policisë në Coatbridge, rasti i cili e kishte detyruar edhe në atë kohë t’i mbathte çorapet elektrike në angazhimet sportive.

Forcat e rendit ishin në shënjestër të lojtarit edhe në dy raste në mes viteve 2013 e 2015, si rrjedhojë e abuzimit me alkool dhe nga lojërat e fatit, të cilat ia kanë pamundësuar atij të ngrihet në nivele të larta të futbollit profesionist. Ai ka luajtur gjithmonë në Skoci, pa mundur ta bënte hapin e radhës.