Loret Sadiku akuzon Shqipërinë
Loret Sadiku është dorëzuar përfundimisht nga opsioni për të luajtur për Kosovën, shkruan sot gazeta Zëri.
Futbollisti kosovar ka pritur me vite, por ka hasur në probleme me dokumentacion. Tash qendërmbrojtësi i njohur i është vetofruar Suedisë.
Sadiku, i rritur në shtetin skandinav, kishte luajtur fillimisht për këtë ekip përfaqësues, ndërsa më pas e kishte zgjedhur Kombëtaren shqiptare.
Mirëpo përkohësisht e përfaqësoi edhe Kosovën, por pas pranimit të FFK-së në UEFA e në FIFA atij iu mohua përfaqësimi i Kosovës, pasi një lojtar nuk ka të drejtë t’i përfaqësojë tri shtete të ndryshme.
Ai e ka akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit që i prishi punë dhe që nuk e la të luajë për Kosovën.
“Pas asaj ndeshjeje (me Kosovën) ndaj Haitit Federata Shqiptare ka thënë se nuk do të luajë më kurrë për Shqipërinë. Por pavarësisht kësaj më ftuan përsëri në ekipin kombëtar. Unë më pas kam qenë i sinqertë dhe e kam thënë atë që e kam menduar. Më pas drejtuesit e FSHF-së e kanë dërguar mendimin tim në mediet shqiptare. Unë vetëm kam kërkuar që të luaj e jo diçka tjetër. Kjo temë kishte krijuar një kaos të vërtetë”, ka treguar Sadiku për mediet suedeze, duke shtuar se Federata Shqiptare e Futbollit e ka penguar këto vite që të luajë për Kosovën.
“Unë e kam shkruar një letër, sepse e kam ndërruar ekipin kombëtar dhe më pas ata thanë se nuk mund ta ndërrosh përsëri. Mirëpo unë e di se kishte lojtarë të tjerë që e ndërruan ekipin përfaqësues pa problem. Mu duk e çuditshme që nuk mund ta ndërroj përfaqësuesen, sepse nuk kam luajtur në ndeshje zyrtare e madje s’kam qenë as në stërvitje me Shqipërinë. Ata (Shqipëria) vetëm duan të më dëmtojnë, kjo është e tëra”, akuzon Sadiku. /Zëri/