Këto janë deklaratat e trajnerit Bekim Isufi para ndeshjes së Championsit ndaj Malmos

Sport July 09, 2018 - 16:21

Pavarësisht faktit se do të luajë me klubin e njohur evropian, Malmo, Drita do t’ia bëjn hyzmetin për të dalë sa më mirë në sfidën e dyfishtë me klubin suedez.

Trajneri Bekim Isufi thotë se në futbollin e sotëm nuk i dihet asnjëherë, shkruan Zeri.info.

Ai e ka analizuar lojën e kundërshtarit, të cilin e respekton shumë dhe pret nga djelmoshat e tij që ta tregojnë veten njëjtë siç bënë në turnin paraprak.

“E dimë rëndësinë e ndeshjes, e dini se sa vite është dashur të kemi ndeshje historike. Pas dy ndeshjeve që i patëm në Gjibraltar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e mundshme, aq sa kemi pasur mundësi. Do të luajmë kundër një kundërshtari që e dini të gjithë se për çfarë ekipi bëhet fjalë”, ka thënë fillimisht trajneri gjilanas në konferencë për shtyp.

“Kemi pasur më shumë kohë për t’u përgatitur për lojën ndaj Malmos. I kemi bërë përgatitjet e duhura, të cilat kemi menduar që na nevojiten. E kemi bërë analizën e kundërshtarit. Kemi respekt për kundërshtarin, nuk diskutohet se përvoja dhe niveli i futbollit flet për Malmon dhe ky është ekip favorit. Por, ne nuk do të hyjmë të dorëzuar, do të mundohemi ta bëjmë maksimumin. E kam besimin te këta lojtarë që do ta japin më të mirën. Presioni i vetëm yni është që të shfaqemi mirë dhe nuk dyshoj për këtë”, vazhdoi Isufi.

Ai beson se gjilanasit mund të përmirësohen edhe më shumë dhe t’i shfrytëzojnë rastet që nuk i konkretizuan në ndeshjet e kaluara.

Sepse, shton ai, ndaj një kundërshtari të fuqishëm si Malmo vijnë rastet më rrallë dhe ato pak raste duhen shfrytëzuar nga lojtarët e tij.

Ai ndihet i lumtur që Drita do ta ketë përkrahjen edhe nga tifozët dhe shton se është kënaqësi që pas disa vitesh do të mbushet përplot stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, gjë e cila do të jetë motiv për lojtarët, të cilët do ta japin më të mirën nga vetja.

“Jemi krenarë që po e prezantojmë futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme. Është vetëm viti i dytë yni ky që luajmë në Evropë. Është shumë e rëndësishme që Drita dhe Prishtina të kualifikohen në fazën e dytë. Shpresoj që vitin tjetër në Evropë të garojnë tri ekipe kosovare”, nënvizoi Isufi.

Sipas tij, do të ishte ideale nëse Drita shënon në ndeshjen e parë.

Ai e ka përmendur Botërorin 2018 si shembullin më të mirë që secili ekip ka shans.

Isufi në fund shpreson që Drita ta ketë ditën më të mirë të saj dhe ta nxjerrë një rezultat të mirë. /Zëri/