Jonuzi: Synim i FC Prishtinës është kalimi i turnit në Europa League

Sport July 09, 2018 - 14:33

Ahmed Jonuzi e ndihmoi Prishtinën drejt kualifikimit në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues me njërin nga pesë golat që i shënuan Bardhekaltrit ndaj Europa FC, shkruan Zeri.info.

Sulmuesi vushtrrias shprehet se kryeqytetasit synojnë ta kalojnë edhe këtë rreth garash, pas dy ndeshjeve që do t’i zhvillojnë me ekipin SC Fola Esch.

Ndeshjen e parë prishtinasit do ta zhvillojnë të mërkurën në Luksemburg.

“Meqë e kemi kaluar raundin preliminar, tani është shumë e rëndësishme për ne që të paraqitemi sa më denjësisht edhe në raundin e parë duke shpresuar se do të na përcjellë suksesi edhe në këto dy ndeshje të radhës. Kemi përballë kundërshtar që nuk është për t’u nënvlerësuar, ma merr mendja shumë më i fortë se Europa, por sido që të jetë, ne do ta respektojmë çfarëdo kundërshtari që do të jetë, më i fortë apo më i dobët, nuk ka rëndësi, respekt maksimal”, theksoi sulmuesi i rrezikshëm për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Ndërsa, ne do të udhëtojmë ta japim maksimumin me qëllim të kalimit të raundit, ky është synimi ynë, të paktën. Duhet përmendur edhe faktin që jemi në formën tonë më të mirë dhe shpresojmë se do të na shpërblehet mundi me suksesin që ne e dëshirojmë”, shtoi ai. /Zëri/