Krejt Kosova sytë kah FC Prishtina

Sport July 03, 2018 - 15:35

Krejt Kosova do t’i ketë sytë të enjten kah FC Prishtina, e cila do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit parakualifikuese të Europa Leagues, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit do ta presin të enjten mbrëma ekipin nga Gjibraltari, Europa FC, me të cilin barazuan në duelin e parë në udhëtim me rezultat 1:1.

Në mungesë të stadiumit të vet kryeqytetasit këtë duel do ta luajnë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Kontingjenti prishtinas është rikthyer pak ditë më parë në Kosovë, respektivisht të shtunën, pas një udhëtimi të mundimshëm prej më shumë se 20 orësh nga Gjibraltari.

Sidoqoftë, ata nuk kishin shumë kohë për “luks” dhe i janë rrekur punës qysh të dielën, duke e zhvilluar një seancë stërvitore në stadiumin e 2 Korrikut në lagjen “Arbëria”

Prishtinasit janë të gatshëm për ndeshjen e kthimit, ku synojnë ta rrëzojnë ekipin Europa FC dhe të depërtojnë në fazën kualifikuese të Europa Leagues.

Klubi prishtinas dhe tifozët “Plisat” u kanë bërë thirrje krejt tifozëve të Bardhekaltërve që t’i bashkohen festës në Mitrovicë të enjten.

“Koha për Evropë – Krejt Prishtina n’Mitrovicë. E rëndësishme është veç kalimi i rundit. Kualifikimi në Europa League është historik. Së bashku ta ndihmojmë klubin – së bashku ta gëzojmë suksesin dhe historinë së bashku ta bëjmë”, kanë shkruar “Plisat”, të cilët kanë bërë të ditur se do të grumbullohen nga ora 15:00, të enjten në sheshin “Zahir Pajaziti”, te “Fan Clubi” dhe se nisja për në Mitrovicë do të jetë në orën 17:00.

Rrugën për Mitrovicë të enjten për t’i përkrahur prishtinasit pritet ta marrin edhe tifozë nga qytete të ndryshme të Kosovës, ngase depërtimi i FC Prishtinës në fazën tjetër dhe suksesi i Dritës në Ligën e Kampionëve pritet t’ia hapë rrugën futbollit kosovar, i cili sezonin e ardhshëm mund të përfaqësohet në garat evropiane me tri ekipe. /Zëri/