Fundi i fukarallëkut

Sport July 03, 2018 - 15:33

Të hënën në kabinetin e ministrit të Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit është organizuar ceremonia e shpërndarjes së vërtetimeve të para të sponsorizimit në fushën e sportit, shkruan sot gazeta Zëri.

Pas miratimit të akteve normative për sponsorizim, ku sipas tyre parashihen lehtësime tatimore për ato biznese që sponsorizojnë në fushën e kulturës, të rinisë dhe të sportit për herë të parë MKRS-ja lëshon vërtetime për klubet sportive.

Ministri Gashi në takimin me përfituesit e sponsorizimve ka theksuar se “MKRS-ja është e përkushtuar që ta zbatojë legjislacionin në këtë fushë dhe do ta shqyrtojë me kohë dhe përpikëri çdo kërkesë që paraqitet, në mënyrë që sponsorizuesit në fushën e kulturës, të rinisë dhe të sportit të përfitojnë nga beneficionet që i ofron Ligji Nr. 05/L-090 për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit”.

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, përkatësisht Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimit për Sponsorizime në fushën e kulturës, të rinisë dhe të sportit ka shqyrtuar kërkesat e para për vërtetim të sponsorizimit në fushën e kulturës, të rinisë dhe të sportit, me ç’rast kanë përgatitur 5 vërtetime në fushën e sportit, të cilat vërtetime dje u janë ndarë përfaqësuesve të klubeve sportive nga ana e ministrit të Sportit, Kujtim Gashi.

Përfituesit e këtyre vërtetimeve, në prononcimin e përbashkët me ministrin e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Kujtim Gashi, pas ceremonisë së marrjes së vërtetimeve u shprehën të kënaqur dhe falënderues duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme ndarjen e vërtetimeve për sponsorizim.

“Është një ditë e madhe për sportin e Kosovës, kjo ditë shënon fundin e fukarallëkut në sport dhe është një ditë e futjes në një fazë që quhet fazë e stabilitetit financiar në sport”, tha Gazmend Hoxha nga klubi i volejbollit Luboteni. /Zëri/