Agolli rinovon me Qarabag: Është shtëpia ime e dytë

Sport June 15, 2018 - 17:21

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, e ka rinovuar kontratën me klubin Qarabag.

“U deshën vetëm dy sekonda për të rinovuar! Jam shumë i lumtur që lajmëroj se do të jem edhe për një vit te Qarabag, që është bërë si shtëpia ime e dytë tashmë. Premtoj që do vazhdoj të luaj me të njëjtën grintë që kam treguar këto 8 vite këtu. Do të japim gjithçka që të ndërtojmë mbi suksesin e vjetshëm, dhe të arrijmë rezultate edhe më të mira këtë sezon”, tha Agolli.

Më këto fjalë, mbrojtësi i kombëtares Shqiptare ka njoftuar rinovimin e kontratës me skuadrën e Qarabag, në profilin e tij në Instagram, duke treguar qartë se Agolli është një element tepër i rëndësishëm për klubin nga Agdami.

Mbrojtësi dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe gjatë këtij sezoni në triumfin në Premier ligën azere, duke qenë titullar i padiskutueshëm. 8 vite në Azerbajxhan dhe 5 tituj kampionë të fituar, të cilave u shtohen edhe 3 Kupa, tashmë Agolli do të japë kontributin e tij edhe për një tjetër sezon tek Qarabag.