Kjo është kërkesa e Aziz Salihut për Qeverinë e Kosovës

Sport June 12, 2018 - 17:16

Aziz Salihu e ka një kërkesë për Qeverinë e Kosovës.

Legjenda e boksit kërkon ndihmë nga Qeveria për organizimin e një turneu kushtuar klubit të boksit Prishtina, ku është kryetar dhe me të cilin i ka arritur sukseset më të mëdha.

Salihu turneun kushtuar klubit që e udhëheq e ka paraparë ta organizojë të dielën në sheshin “Skënderbeu” nga ora 17:00.

Ai thotë se ftesë për pjesëmarrjen në këtë turne e kanë konfirmuar disa boksierë të shteteve të ndryshme në Evropë.

“Jam pak nervoz dhe kjo nuk është hera e parë, sepse më ka ndodhur edhe disa herë që nuk jam mbështetur për organizimin e turneve. Nuk e di pse po ndodh kjo, por as tash nga kjo qeverisje nuk po gjejë mbështetje. Kam bërë kërkesa disa herë, por nuk më janë përgjigjur. Kam kërkuar të mbështetem me 5 apo 6 mijë euro. Klubi i boksit Prishtina e meriton një turne për të kujtuar epokën e lavdishme. Tani është harruar nga të gjithë dhe nuk është në rregull, sepse ka qenë klub që të gjithë janë mburrur me sukseset. Kam pritur që do të gjejë mbështetje nga kryeministri Ramush Haradinaj për të cilin gjithashtu kam mbajtur turne dhe ministrin e punëve të jashtme, Behgjet Pacollin. Por as njëri e as tjetri nuk më kanë mbështetur dhe nuk e di pse. Nuk e di se çka u kam bërë”, ka thënë Salihu.

Salihu shpreson që të gjejë mbështete për ta mbajtur këtë turne. Ai premton spektakël në shesh.

“Do të ishte një prej turneve më të mëdhenj që kam organizuar, sepse do të kishte numër të madh të shikuesve. Por, më duhet mbështetje për ta bërë madhështor. Ftesës i janë përgjigjur dy boksier shqiptar nga Gjermani nga Shqipëria, Maqedonia, Kroacia dhe vende tjera", është shprehur Salihu.

Salihu ka theksuar se turneu do të nis me një minutë heshtje për të nderuar legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, që të shtunën ndërroi jetë pas një sulmi në zemër në moshën 57-vjeçare dhe ish-boksierin Daut Dauti.

Salihu ka thënë se nëse i jepet e drejta për ta organizuar një turne kushtuar Fadil Vokrrit, do ta bëjë një gjë të tillë.