Shaqiri: Ëndërr të luash në 'Anfield', mendjen në Botëror

Sport June 11, 2018 - 13:29
Detajet

E pëlqejnë shumë Tottenhami dhe Southamptoni, ndërsa gjatë ditëve të fundit janë shtuar zërat edhe për një interesim të Liverpoolit.

Po flasim për Xherdan Shaqirin, që me siguri do të ndërrojë ambient gjatë merkatos së verës, pas rënies së Stoke Cityt nga Premierliga.

I grumbulluar me Zvicrën për finalet e Botërorit, Shaqiri, ndër të tjera, u pyet edhe për transferimin e tij të mundshëm te “The Reds”, transmeton SS.

“Të luash në “Anfield” është një ëndërr, por nuk mund të them asgjë më shumë, për të ardhmen time po merren përfaqësuesit e mi. Në këto momente jam totalisht i përqendruar te Botërori.”

Shaqiri, sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë në Premier League. Stoke City nuk mund ta mbajë për faktin e thjeshtë se në marrëveshjen mes palëve ekziston një klauzolë, sipas të cilës, në rast rënieje nga kategoria, mesfushori mund të largohet për 12 milionë paund, që bëjnë afërsisht 15 milionë euro. Janë të shumta skuadrat në Premier League, por jo vetëm, që nuk do të hezitonin për ta paguar këtë shumë për një lojtar të kalibrit të Shaqirit.