Kosova, pa fitore në hendboll

Sport June 03, 2018 - 17:05

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave gjatë fundjavës që shkoi i ka mbyllur ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian.

Edhe në ndeshjen e fundit të Grupit 7 vashat Verdhekaltër kanë pësuar humbje, shkruan zeri.info.

Ato u mposhtën nga Përfaqësuesja e Holandës me rezultat të thellë 16:42 (10:21 pjesa e parë) në ndeshjen e zhvilluar në Almere të Holandës.

Me këtë rast Kosova nuk e shijoi asnjë fitore në këtë fazë, duke humbur nga Hungaria (12:37 e 15:37), Holanda (12:40 e 16:42) dhe Bjellorusia (22:31 e 18:41).

Sidoqoftë, pjesëmarrja në grupin kualifikues, ku kishte kaluar nga parakualifikimet pasi i kishte mposhtur Gjeorgjinë 30:19 e Izraelin 32:25, është vlerësuar si sukses. /Zëri/