Fat i keq për Kompanyn, rrezikon Botërorin

Sport June 03, 2018 - 16:06
Detajet

Kombëtarja e Belgjikës po përballet me një garë kundër kohës për të riaftësuar mbrojtësin Vincent Kompany para nisjes së Botërorit këtë muaj.

“Djajtë e Kuq” të Europës ndoshta nuk do të kenë futbollistin influencues në premierën e turneut, por ekziston rreziku që ai të mos jetë fare në ‘verën e nxehtë’ të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Vincent Kompany u zëvendësua 10 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë në miqësoren ndaj Portugalisë, në stadiumin “King Baudouin”, pas një dëmtimi në muskujt e kofshës. Trajneri Roberto Martinez që është përballur me kritika të forta për përzgjedhjen e lojtarëve, do të publikojë listën finale me 23 lojtarë këtë të martë.

Pikërisht këto ditë do të vendoset edhe nëse dëmtimi i futbollistit belg, do ta privojë nga Botërori 2018. Belgjika do të luajë ndaj Egjiptit dhe Kosta Rikës në miqësore, para se të nisë fushatën për turneun e kësaj vere në Rusi.