Yjet 'e humbësve'

Sport May 18, 2018 - 16:48

Stoke City, West Bromwichi dhe Swansea janë skuadrat që e humbën vendin e tyre në Premierligën angleze gjatë edicionit të fundit. Lojtarët e tyre më të mirë pritet që të shkojnë në drejtim të rivalëve të tyre në elitën e futbollit anglez. Në mesin e tyre është futbollisti shqiptar Xherdan Shaqiri.

Fundjava e kaluar solli fundin e edicionit 2017/2018 në Premierligë, gjithashtu përshëndetjen nga elita e futbollit anglez për Stoke Cityn, West Bromwichin dhe Swansean, që edicionin e ardhshëm do të luajnë në Championship, shkruan sot gazeta Zëri.

Por pavarësisht se nuk arritën dot t’i shpëtojnë rënies nga kategoria, disa lojtarë shkëlqyen gjatë kësaj periudhe.

“Daily Mail” ka përgatitur formacionin më të mirë nga lojtarët e këtyre tri klubeve.

Jack Butland (Stoke City)

Lotët e Butlandit derisa përshëndeste tifozët në humbjen ndaj Crystal Palace flisnin vetë. Ai e dinte se do të ishte loja e fundit e tij për Stoke Cityn. Butland është njëri prej futbollistëve që pritet të largohet nga Stoke, për të qëndruar në Premierligë. Ekipi i sapopromovuar në ligë Wolverhampton ka përgatitur ofertë prej 35 milionë funtesh për të. Butland kishte bërë 137 pritje gjatë këtij edicioni, i dyti në ligë me një saktësi të pritjeve prej 70%, ndërsa kjo ishte e tëra që mund të bënte për klubin.

Ahmed Hegazi (WBA)

Hegazi u prezantua në Premierligë me një gol në debutim, derisa West Bromqichi e filloi edicionin me dy fitore radhazi. Por, derisa klubi nuk arriti më të fitonte ndeshje gjatë vitit kalendarik, ai vazhdoi të mbetej kyç në qendër të mbrojtjes. Sezoni i parë i Hegazit në Angli ka qenë mjaft i mirë dhe një paraqitje pozitive me Egjiptin në Kupë të Botës mund t’ia shtojë vlerën.

Jonny Evans (WBA)

Klauzola e lirimit prej 3 milionë funtesh pas rënies nga liga e Evansit pa dyshim që ai pritet të tërheqë vëmendje të madhe në Premierligë. 30-vjeçari pati një edicion të shkëlqyeshëm personal në Angli. Ai madje ishte edhe objektiv për Manchester Cityn dhe Arsenalin në dy afatet e fundit kalimtare

Alfie Mawson (Swansea)

Paraqitjet e mira të Mawsonit bënë që të ftohej për herë të parë në përfaqësuesen angleze. Mawson tregoi maturi dhe inteligjencë në paraqitjet e tij me Swansean.

Xherdan Shaqiri (Stoke City)

Ndoshta futbollisti më i talentuar që ka rënë nga liga këtë edicion. Ish-mesfushori i Bayern Munichut dhe i Interit e kaloi edicionin e tij më të mirë në karrierë, duke u përfshirë në 43% të golave të Stoke Cityt. 26-vjeçari ka një klauzolë lirimi prej 12 milionë funtesh dhe pritet të marrë vëmendje të madhe nga klubet evropiane.

Badoi Ndiaye (Stoke City)

Ndiaye e tërhoqi vëmendjen në Stoke pas transferimit të tij nga Galatasaray për 14 milionë funte në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit. Aventura pesëmujore e tij në Angli duhet të jetë e mjaftueshme për të tërhequr interesimin nga klubet e tjera të ligës angleze.

Jake Livermore (WBA)

Livermore nuk ishte njëri ndër të preferuarit e ish-trajnerit Alan Pardew. Por, nën drejtimin e Darren Moore forma e tij ishte e jashtëzakonshme. Ai madje edhe shënoi golin e fitores në minutat e fundit kundër ish-klubit të tij, Tottenham.

Leroy Fer (Swansea)

Fer është një tjetër lojtar që ka rënë nga liga, i aftë për të prodhuar paraqitje brilante, por që vuan të ketë vazhdimësi. Loja e tij, pasimet bënë që ai të jetë shpresë e Swanseas për mbijetesë. Ai ishte fenomenal në fitoren në shtëpi kundër Arsenalit. Por, derisa arriti formën e tij më të mirë ai mori një lëndim që ia përfundoi edicionin.

Erik Pieters (Stoke City)

Pieters ka qenë njëri prej futbollistëve me paraqitje të mira në mënyrë të vazhdueshme në krahun e majtë të mbrojtjes së Stoke Cityt. Reprezentuesi holandez sidoqoftë ra në sy kur u pa në një lokal nate një natë para një ndeshje vendimtare ndaj Evertonit. Por, 29-vjeçari u kthye përsëri në ekip dhe impresionoi me paraqitjet e tij nën urdhrat e Paul Lambertit, duke e mbajtur mjaft mirë Salahun në barazimin pa gola kundër Liverpoolit.

Jay Rodriguez (WBA)

Rodriguez arriti të shënojë 7 gola këtë edicion ose 23% të golave në total të West Bromwichit. Ai shënoi golin më vendimtar të edicionin në fitoren e vonshme ndaj Manchester Unitedit në “Old Trafford”, duke bërë që Manchester City ta fitonte matematikisht titullin në atë kohë. Ai pritet që të transferohet diku tjetër në afatin kalimtar të verës.

Jordan Ayew (Swansea)

Pa kontributin e Ayewit Swansea me kohë do të ishte përshëndetur nga liga. Ai doli të jetë mjaft i rëndësishëm në edicionin e klubit të tij me 7 realizime. Ai punoi shumë edhe për ekipin duke realizuar 81 ndërhyrje, më shumë se çdo lojtar tjetër sulmues në Premierligë. /Zëri/