Sa herë e ka mposhtur FC Prishtina, Dritën me dy gola epërsi?

Sport May 18, 2018 - 11:19

Drita do ta kërkojë titullin e kampionit të dielën në Pejë kundër Prishtinës, të dytin në historinë e saj. Të parin e pati fituar qysh në vitin 2003 pikërisht në duel me prishtinasit. Gjilanasit po vlerësohen si favoritë për t’u shpallur kampionë edhe sivjet. Kjo për shkak se përpos fitores e barazimit “Intelektualët” mund të bëhen kampionë edhe nëse humbin nga Prishtina me një gol disavantazh. Ndërsa, Prishtinës mund t’ia kthejë titullin e kampionit vetëm një fitore me epërsi prej dy golash. Ky nuk është mision i lehtë, por jo edhe i pamundur për kryeqytetasit. Prishtina shpeshherë ka ditur ta mposhtë Dritën me epërsi prej dy e më shumë golash

Përballja e së dielës, që do të zhvillohet në Pejë ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, do ta përcaktojë njërën prej këtyre dy skuadrave si kampione të re të Kosovës.

Njëherësh, me këtë takim do të përfundojë edhe gara kampionale, shkruan sot gazeta Zëri.

Me përballjen në mes këtyre dy ekipeve edhe kishte filluar kampionati.

Qysh në xhiron e parë Prishtina ishte mposhtur si vendase nga Drita me rezultat 0:1. Pastaj, prishtinasit e kishin të pamundur t’u revanshoheshin gjilanasve në takimin kthyes pasi përballja e dytë në mes tyre kishte përfunduar baras.

Ndërsa në takimin e tretë, që do të zhvillohet në këtë të diel, Prishtina do ta presë Dritën në Pejë me një disavantazh të madh.

Gjilanasit përpos që udhëtojnë me një epërsi prej tri pikësh, atyre u mjafton edhe humbja minimale prej minus një goli për t’u shpallur kampionë. Kurse me barazim dhe me fitore vetëm çka do të bëheshin bindshëm kampionë.

Në anën tjetër, Prishtinën mund ta shpallë kampion veç një opsion.

Kryeqytetasit duhet të fitojnë së paku me dy gola epërsi për t’u bërë kampionë.

Rezultatet eventuale si 2:0 ose 3:1 do ta dërgonin Prishtinën në Ligën e Kampionëve, kurse Dritën në Ligën e Evropës.

Por, cilat janë gjasat që Prishtina ta bëjë këtë? Pa dyshim është shumë e vështirë të thuhet.

Fakti se Drita sivjet e ka njërin prej ekipeve më cilësore që ka pasur ndonjëherë e bën Prishtinën më pak shpresëdhënëse. Mirëpo, ekzistojnë dy faktorë që e arsyetojnë besimin e madh që e ka Prishtina se mund ta përmbysë Dritën.

E para, për nga cilësia mirë qëndrojnë punët edhe te Prishtina. Dhe, e dyta: Prishtina e ka zanat ta mposhtë Dritën, ani pse sivjet ka dështuar në dy tentativa.

Por, tradicionalisht Prishtina ka ditur të fitojë ndaj Dritës disa herë me nga dy gola epërsi, ashtu siç duhet të bëjë të dielën nëse e do titullin.

Prishtina dhe Drita janë takuar 40 herë në Kosovën e pasluftës. Prishtinasit i kanë fituar 19 përballje, kurse Drita vetëm 7 sosh, ndërsa 14 takime janë mbyllur pa fitues.

Fakti që vlen të përmendet është se prej 19 ndeshjeve të fituara ndaj Dritës, dhjetë prej tyre Prishtina i ka fituar me dy e më shumë gola epërsi.

Prishtina e ka mposhtur Dritën me rezultat 2:0 katër herë dhe ka fituar dy herë me rezultat 3:1.

Pra, gjithsej prishtinasit kanë fituar gjashtë herë me dy gola epërsi karshi gjilanasve.

Kurse tri takime tjera i ka fituar me rezultat 3:0, por një herë në vitin 2007 Prishtina ka regjistruar fitore edhe prej 5:0 ndaj Dritës.

Duke marrë në tërësi, Prishtina ka mesatare të shënimit të golave ndaj Dritës prej 2,17 golash për ndeshje, kurse gjilanasit kanë mesatare prej 0,77 golash për ndeshje.

Khalid, shpresa e Prishtinës

Basid Khalid i është bashkuar Prishtinës vetëm qe dy vjet. Por sulmuesi ganez është bërë shpresa kryesore e Prishtinës sa herë që kjo e fundit e takon Dritën.

Prishtina i ka shënuar gjithsej 56 gola ndaj Dritës në 40 takimet në mes tyre.

Dhe Khalid ka qenë ndëshkuesi më i keq për Dritën.

Khalid deri më tani i ka realizuar 5 gola ndaj gjilanasve.

Madje, dy gola ganezi i kishte shënuar në finalen e Kupës në vitin 2016, me ç’rast kishte fituar Prishtina (2:1).

Është pikërisht Khalid shpresa më e madhe e “Plisave” edhe për takimin e radhës që zhvillohet të dielën në Pejë. 

Ndërsa në radhët e futbollistëve aktualë të Dritës, Xhevdet Shabani i kujtohet për të keq Prishtinës, ndaj së cilës ka ditur të shënojë dy herë në të kaluarën.

Bekim Isufi e kërkon fitoren e parë kundër Prishtinës

Trajneri i Dritës, Bekim Isufi, ka kujtime të këqija nga FC Prishtina.

Ai e ka sfiduar dhjetë herë Prishtinën me tri ekipe të ndryshme, por nuk e ka mposhtur asnjëherë.

Isufi me Dritën i ka regjistruar tri humbje (2:1, 0:3, 2:0) dhe dy barazime (1:1, 1:1) në duele me Prishtinën.

Me Hajvalinë Isufi i ka humbur katër ndeshjet e zhvilluara me Prishtinën, sikurse që e ka humbur një me Vllazninë.

Prishtina 10 tituj, Drita 1

Derisa Prishtina i numëron 10 tituj të kampionit, Drita sivjet po e kërkon vetëm titullin e dytë.

Titullin e parë dhe të vetmin të kampionit Drita e ka fituar në vitin 2003.

Madje sikurse sivjet, edhe atëherë Drita e kishte siguruar titullin në takim me Prishtinën.

Ishte xhiroja e parafundit e kampionatit kur Drita mezi e kishte nxjerrë një barazim prej 1:1 si vendase ndaj Prishtinës, me të cilin ishte shpallur kampion.

Ajo ndeshje kishte prodhuar tensione të shumta, për çka Prishtina atë pritje të keqe në Gjilan e kujton edhe sot. /Zëri/